Maqedoni

“Edhe fjalët lëndojnë, jo në shkollën time”, Megjashi me projekt kundër dhunës në shkolla

21.09.2018 17:38

21 shtatori është Dita Botërore e Paqes. Në këtë ditë nuk promovohet paqja që prishet nga luftërat dhe konfliktet...

21 shtatori është Dita Botërore e Paqes. Në këtë ditë nuk promovohet paqja që prishet nga luftërat dhe konfliktet, por edhe paqja tjetër, ajo mes njerëzve.

Jemi dëshmitarë të dhunës që fëmijët ushtrojnë ndaj njëri-tjetrit. Fëmijët që janë viktimë e bulizmit, rriten më pas në njerëz të frustruar dhe të ndrojtur.

Pikërisht për këtë qëllim, Megjashi nisi në këtë ditë të paqes fushatën për ndalim të dhunës mes fëmijëve, me moton “Edhe fjalët lëndojnë, Bulizmi -JO në shkollën time”.

“Vendosëm që këtë vit në Ditën Botërore të Paqes vëmendje të veçantë t’i japim Bulizmit, pra dhunës që po ndodh nëpër shkolla, e që përfshin dhunën psikike dhe fizike. Moto jonë është: Jo bulizmit në klasa e korridore, as në oborrin e shkollës, as në transportin publik, e aq më pak në shtëpi. Askund ku lëvizin fëmijët nuk duhet të jenë pre e dhunës”,- deklaroi Dragi Zmijanac nga Megjashi.

“Qëllimi ynë është që të ndërtojmë një shoqëri dhe shkolla të cilat janë pa dhunë dhe e gjithë kjo arrihet vetëm nëse kemi bashkëpunim, korrektësi dhe transparencë”,- tha punonjësi paqësor – Megjashi, Fatmira Ajdari.

Në kuadër të fushatës do të shpërndahen 35 billborde, 15 postera dhe një videoklip. Materialet do të shpërndahen për nxënësit nëpër shkolla fillore dhe të mesme, që do të përfshihen në programin e edukimit për paqe. Fushata kundër bulizmit do të zgjasë gjatë tërë vitit shkollor.

GYLTENE SINANI