“Dita e ashures”, ëmbëlsira i mblodhi të gjithë në Çarshinë e Vjetër
Tanimë 14 vite me radhë, tradicionalisht në Çarshinë e Vjetër të Shkupit shënohet dita e 10 të Muajit Muharrem...

Tanimë 14 vite me radhë, tradicionalisht në Çarshinë e Vjetër të Shkupit shënohet dita e 10 të Muajit Muharrem, sipas kalendarit arab, apo e njohur si Dita e Ashures. Edhe sivjet, për kalimtarët u shpërnda ashurja tradicionale.
“Edhe përpara, prej kur e mbaj mend, është festuar Dita e Ashures. Tani kohëve të fundit shihet një aktivitet edhe më i madh se sa ishte në atë kohë, sepse këtë festë më tepër e kanë festuar dervishët ose tarikati se sa pjesa tjetër, sunit. Kohëve të fundit ndasitë janë eliminuar dhe të gjithë e festojnë”,- deklaroi Abdurrauf Pruthi.
Kjo ngjarje ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave, traditës fetare si dhe asaj kulturore, e në këtë mënyrë edhe jepet mesazhi për një jetë të begatë në paqe dhe mirësi.
“Ashurja simbolizon solidaritetin, humanitetin, bamirësinë, kulturën dhe civilizimin tonë. Me këtë aktivitet, organizata humanitare El Hilal ka kontribuar mjaft për mbrojtjen, afirmimin, kultivimin e vlerave të Shkupit të vjetër, përkatësisht të Çarshisë së Vjetër të Shkupit”,- tha kryetari i Organizatës Humanitare “El Hilal”, Bexhihudin Shehapi.
Komuna e Çairit që mbështet ngjarjet e tilla, thotë se të njëjtat i ndihmojnë njohjes me njëri-tjetrin, pra bashkëjetesës.
“Jo rastësisht simbolika e ashures tregon për simbolikën e bashkëjetesës. Ne si komunë i përkrahim këto aktivitete, ku qëllimi i tyre është mirësia, bashkëjetesa, toleranca dhe humaniteti”,- u shpreh zëvendëskryetari i komunës së Çairit, Zahir Bekteshi.
Në ndarjen e ashures, morën pjesë edhe përfaqësues të komunës së Bursës dhe Ambasadës së Turqisë, që bashkë me organizatorët e tjerë, Shoqatën El Hilal, Ensar dhe komunën e Çairit, shijuan bashkë me qytetarët dhe turistët, ashuren tradicionale.
LEUNORA KALIQI
