Maqedoni

Një në 4 fëmijë në vend është i varfër, Carovska: shtojmë shumën e shtesave fëmijërore; UNICEF kërkon strategji afatgjatë: me 55 euro në muaj, nuk luftohet varfëria

21.09.2018 18:36

Në Maqedoni çdo i 4 fëmijë është i varfër, tregojnë statistikat e bëra publike nga Ministria për Punë Sociale...

Vetëm një në 300 prej fëmijëve nga familjet e varfra ndjekin arsimin parashkollor, vetëm 2 e 3 e fëmijëve nga familjet e varfra vazhdojnë arsimin e mesëm, edhe pse është i obligueshëm.
 
Këto shifra kanë detyruar autoritetet që seriozisht të punojnë në reformën sociale dhe në atë mbrojtëse të fëmijëve.
 
Ministrja Carovska thotë se kjo strategji  parashikon shtesa fëmijërore dhe arsimore me qëllim që të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e varfërisë.  
 
“Më shumë se 3.500 fëmijë kanë marrë shtesa fëmijërore dhe arsimore.  Tani më shumë se 60.000 fëmijë do t'i marrin këto dy shtesa dhe ky është hap i madh për të luftuar kundër varfërisë së fëmijëve”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
 
Por, shtesat që parashikon qeveria arrijnë në 55 euro në muaj, të pamjaftueshme për ndryshimin e jetës së tyre. Edhe përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Preks, pohon se kjo shumë nuk mjafton dhe duhet strategji afatgjatë për zvogëlimin e varfërisë. 
 
“Këto të ardhura, ndihma sociale dhe ndihma në para nuk janë të mjaftueshme që të nxirret familjet e tilla nga varfëria. Duhet të investohet në arsim, në krijimin e vendeve të reja të punës, në investime të huaja që të mundësohet ekzistimi i tyre i pavarur dhe nxjerrja nga varfëria”,- theksoi përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Prek.
 
UNICEF mbështet vendin tonë në tre sfera kyçe: reformat thelbësore të sistemit për mbrojtje sociale; inkuadrimin në sistemin parashkollor të 50% të fëmijëve që nuk shkojnë aktualisht; dhe bashkëpunimin me sektorin shëndetësor dhe për mbrojtjen sociale në dhënien e përkrahjes së prindërve për ndërtimin e strategjive prindërore me të cilat do t'i inkurajojnë dhe do t'u ndihmojnë fëmijëve të tyre të zhvillohen dhe më shpejtë të dalin nga varfëria. 
 
REJHANE BUSHI METAJ