Flekenshtajn dhe Kukan: s’ka plan B, marrëveshja e Prespës është zgjidhja
Europarlamentarët, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, rikujtojnë qytetarët se kontesti rreth emrit ishte problemi kryesor...

Europarlamentarët, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, rikujtojnë qytetarët se kontesti rreth emrit ishte problemi kryesor që pengonte perspektivën euroatlantike të vendit.
Nëse nuk tejkalohet kontesti me Greqinë, kjo do të thotë se edhe në të ardhmen Maqedonia do ta ketë problemin e njëjtë në procesin e integrimit, pasi BE dhe NATO marrin vendime me konsensus, paralajmërojnë deputetët e Parlamentit Evropian.
“Nuk bëhet fjalë për atë nëse një qeveri është e mirë ose e keqe, nuk bëhet fjalë se kush do të qeverisë katër vitet e ardhshme por bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit dhe ndërtimin e bindjes që do të ndikojë në të ardhmen e familjes, fëmijëve dhe nipërve. Kështu që i lus miqtë e mi nga Maqedonia, dilni dhe votoni! Mos thoni, s’na bëhet vonë”,- deklaroi eurodeputeti, Knut Flekenshtajn.
Eurodeputetët përkujtojnë se vendi nuk ka plan B. Por qytetarët duhet të informohen drejtë me përmbajtjen e Marrëveshjes, porositi Kukan.
“Nuk mendojmë për plan B. Mendojmë për planin A, se rezultati nga referendumi do të jetë pozitiv dhe do ta hapë rrugën e Maqedonisë drejt BE-së. Qytetarët të marrin pjesë në referendum dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e vet për të votuar për shkak të rëndësisë që e ka ky referendum",- tha eurodeputeti, Eduard Kukan.
Pas 27 viteve, numërim në vend, Maqedonia ka mundësi që vitin e ardhshëm të fillojë negociata me BE-në por, përveç referendumit, për integrim në BE, Maqedonia duhet të tregojë edhe rezultate të dukshme, në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, atë të Përzhinës dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe të zbatojë reformat e rekomanduara nga Komisioni Evropian në raportin e progresit dhe rekomandimet nga Raporti i ekspertëve të shquar evropian i njohur si Raporti i Pribesë.
SHPËTIM NUREDINI
