Eurodeputetët: e ardhmja është e të rinjve, mësoni të dialogoni; Xhaferi: rinia vendos sot, për të ardhmen e saj nesër; Zendeli: mungesa e dialogut mes nesh, reflektohet te rinia
Konferenca dyditore e të rinjve nga Maqedonia dhe vendet e BE-së, në prani të figurave politike nga vendi dhe jashtë...

Konferenca dyditore e të rinjve nga Maqedonia dhe vendet e BE-së, në prani të figurave politike nga vendi dhe jashtë, dha mesazhin e qartë se barra për të ardhmen europiane të Maqedonisë dhe rajonit bie mbi supet e të rinjve, sepse janë pikërisht të rinjtë ata që më pas do shijojnë benificionet afatgjata të integrimit.
Eurodeputetët inkurajuan të rinjtë të ndërtojnë ura bashkëpunimi, duke potencuar se ajo që u bë 70 vjet më parë me ndryshimin e Europës, nga një zonë lufte në një zonë paqeje, duhet të bëhet edhe në Ballkan, e për këtë është i domosdoshëm vizioni bashkëpunues i të rinjve.
“Liderët politikë janë kyç për ardhmërinë e vendit tuaj, por edhe të rajonit. Por, të rinjtë kanë përgjegjësi që të vendosin për ardhmërinë e vendit të tyre. Është e nevojshme të kuptojmë se ndërtimi i politikave përmes kompromisit dhe koncenzusit është i nevojshëm për gjenerimin e demokracisë parlamentare, kulturës parlamentare dhe besimit të ndërsjellë”,- tha eurodeputeti, Eduard Kukan.
“Këtu mund të kemi dialog vetëm kur ta respektojmë të tjetrin, apo partnerin me të cilin punojmë. Nëse ekziston dialogu, nuk do të ekzistojnë luftërat. Një numër i madh i problemeve në Ballkan në të kaluarën lidheshin me respektin e pamjaftueshëm në mes etniteteve. Prandaj mos ushqeni urrejtje, zgjatni dorën për ndihmë dhe vizion të përbashkët të vendit tuaj, e ky vizion duhet të jetë integrimi në BE, aty ku ka vlera të respektit të ndërsjellë dhe të civilizimit”,- tha eurodeputeti, Lojze Peterle.
Politikanët në vend potencojnë se vendimi i rinisë në këtë moment të rëndësishëm do të respektohet nesër në jetën e tyre.
“Marrëveshjen e Prespës po e përkrahin edhe këshillat rinorë politikë në Maqedoni, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo politike, dhe kjo tregon se ky vendim po sillet për këtë gjeneratë, që në të ardhmen do t’i gëzojë beneficionet”,- theksoi kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
Por, politikanët e vendit gjithashtu pranojnë mungesën e kulturës politike dhe dialogut, e cila mbjell një ambient të elektrizuar, që padyshim reflektohet tek të rinjtë.
“Aktivitetet politike janë të përqendruara intensivisht në diskreditimin e kundërshtarëve politikë përmes fushatave vulgare dhe negative kundër njëri-tjetrit. Ne i përshëndesim forumet e kësaj natyre, veçanërisht forumet e të rinjve, ku mund të ndërtohet një mentalitet i ri politik”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Nga ky forum iu bënë thirrje të rinjve të Maqedonisë që t’u bashkohen atyre në familjen e madhe europiane.
FITIM KRYEZIU
