Në Kërçovë u zhvilluan garat republikane për dhënien e ndihmës së parë
Në organizim të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, sot në Kërçovë u mbajtën garat për dhënien e ndihmës së parë...

Në organizim të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, sot në Kërçovë u mbajtën garat për dhënien e ndihmës së parë ku morën pjesë 28 ekipe nga e gjithë Maqedonia.
Nën moton “Nuk ke edhe një jetë-mëso të japish ndihmën e parë” sot në Kërçovë u zhvilluan garat e 27-ta me radhë të ndihmës së parë, të organizuara nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë.
Garat e sivjetme republikane të ndihmës së parë, mbahen në Ditën ndërkombëtare të dhënies së ndihmës së parë, tha drejtori i Kryqit të Kuq të Maqedonisë Remel Velev, i cili nënvizoi se këto gara ku marrin pjesë 28 ekipe nga mbarë vendi, janë shumë të rëndësishme, sepse intervenimi dhe ndihma e parë që u jepet njerëzve në raste të fatkeqsive, mund të jetë vendimtare për jetën e tyre.
Garuesit dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq, i përshëndeti edhe kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili u shprehu atyre mirënjohje për angazhimin që e bëjnë në promovimin e vlerave humane për të shpëtuar jetë njerëzish.
Fatmir Dehari, kryetar i komunës së Kërçovës
Garat e ndihmës së parë u ndoqën me një interesim të madh nga qytetarët e Kërçovës dhe komisioni përkatës i cili në fund shpalli rezultatet e kësaj sfide dhe ndau mirënjohje për ekipet më të suksesshme. (Shaban Dalipi, TVM2)
