PËRMENDORET

Mungesa e dokumentacionit pamundëson vendosjen e përmendoreve shqiptare

09.08.2014 16:53

Komuna Qendër ka zbuluar për TVM2 se vendosja e përmendoreve të Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit, po ngec shkaku i dokumentacionit jo të plotë.........

Përmendoret e tre veprimtarëve shqiptarë, pjesë e projektit Shkupi 2014, po humbin nëpër labirinthet e politikës ditore dhe administratës joprofesionale.

Komuna Qendër ka zbuluar për TVM2 se vendosja e përmendoreve të Nexhat Agollit, Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit, po ngec shkaku i dokumentacionit jo të plotë.

Zëdhënësja e kësaj komune Katerina Canevska thotë se punimi i përmendoreve të lartëpërmendura ose nuk është paguar, ose janë humbur fletpagesat gjatë periudhës mes dy rretheve të zgjedhjeve të fundit lokale.

“Që të vendosen përmendoret e tre veprimtarëve shqiptar, të cilat e dijmë që janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”, duhet të paguhen faturat për përpunimin e tyre. Kompetentët në Komunën Qendër ende nuk mund t’i gjejnë dhe i kërkojnë faturat. Opinioni e di se  cfarë ndodhi mes rretheve zhgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale dhe se shumë nga dokumentacioni humbi” thotë për TVM2, Katerina Canevska, zëdhënese e Komunës Qendër.

Sipas Komunës Qendër, përbërja e kaluar e kësaj komune nga rradhët e VMRO DPMNE-së, qëllimisht ka anashkaluar vendosjen e përmendoreve të tre veprimtarëve shqiptarë që të krijojë tensione ndëretnike. 

“Kryetari i Komunës Qendër disa herë deklaronte dhe ky është qëndrimi i tij edhe tani se këto përmendore të tre veprimtarëve shqiptarë qëllimisht janë lënë nga garnitura e kaluar si “veza e qyqes” për të nxit pakënaqësi dhe tensione ndëretnike, por ai thekson se nuk do të bie pre e provokimeve të tilla”, - u shpreh më tej Caneska.

Projekti kontravers “Shkupi 2014” është kritikuar ashpër nga më shumë grupe interesi. Kritika më e ashpër nga shqiptarët e Maqedonisë, por jo vetëm, e artikuluar përmes OJQ-ve, subjekteve politike dhe ekspertëve të fushës ka qënë pikërisht karakteri monoetnik i këtij projekti.

Korrigjimi i projektit dhe vënia e tre monumenteve të veprimtarëve shqiptarë pretendonte të ndryshojë karakterin e këtij projekti dhe të ul pakënaqësinë të shqiptarët e Maqedonisë.(Shpëtim  Nuredini, TVM2)