KËRÇOVË

Investim kapital në bulevardin kryesor të Kërçovës

09.08.2014 16:49

Komuna për sivjet ka planifikuar një investim prej 4 milion eurosh në infrastrukturë, në kuadër të të cilit është edhe rregullimi i bulevardit kryesor të Kërçovës...........

Realizohet edhe një projekt i rëndësishëm infrastrukturor në Komunën e Kërçovës.  Komuna për sivjet ka planifikuar një investim prej 4 milion eurosh në infrastrukturë, në kuadër të të cilit  është edhe rregullimi i bulevardit kryesor të Kërçovës.

“Tanimë është asfaltuar pjesa më e madhe e bulevardit ku janë rregulluar edhe vendparkimet, ndriçimi publik, kanalizimi atmosferik, trotuaret dhe gjelbrimet”, thotë kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari.

Punët ndërtimore që zhvillohen në kuadër të këtij projekti i kanë dhënë një pamje të re qytetit të Kërçovës. Me zgjerimin e arteries kryesore të qytetit dhe me hapjen e vendeve të parkimit, është lehtësuar qarkullimi rrugor i cili përbënte problem të madh për qytetin e Kërçovës sidomos gjatë muajve të verës.

Rëndësia e këtyre investimeve është jashtëzakonisht e madhe, prandaj edhe një intervenim i këtillë është  mirëpritur nga banorët e kësaj ane.

Punët ndërtimore zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe nëse nuk paraqiten pengesa klimatike, ky projekt pritet të përfundojë në fund të muajit që vjen. (Shaban Dalipi, TVM2)