Maqedoni

Ahmeti: vendosim për gjeneratat e reja, të mos gabojmë

24.09.2018 13:51

BDI, mbrëmë ka vazhduar fushatën për referendumin e 30 shtatorit në Likovë...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u bëri thirrje banorëve që të dalin e të votojnë “për” NATO dhe BE, pasi, siç tha ai, vota “për” vendos se në cilin bllok do të rreshtohet Maqedonia, por edhe për fatin e gjeneratave të reja duke ju siguruar standarde europiane në vendin e tyre.

“Ne duam pajtimin, ne duam paqen, ne duam stabilitetin, ne duam ardhmërinë, ne duam që fëmijët tanë të jetojnë në paqe, stabilitet, siguri, të shkolluar në nivele më të larta, me ekonomi të përparuar. Ne duam që fëmijët tanë mos të kërkojnë jetë më të mirë as në Gjermani, Francë, Skandinavi e Amerikë... Kjo marrëveshje nuk është aq e rëndomtë, por është një materie që prodhon stabilitet, siguri, marrëdhënie të mira ndëretnike, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, zhvillim dhe prosperitet ekonomik, investime, cilësi në arsim e shëndetësi, por edhe cilësi në drejtim e administrim të shtetit... Do të forcohet sundimi i ligjit, shteti juridik, ky është standard që assesi nuk mund të anashkalohet e as të nënçmohet, sepse nuk mund të jesh pjesë e Evropës së bashkuar pa i plotësuar këto standarde”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti theksoi se në Evropë do të hyjmë si shqiptarë, me flamurin tonë, me universitet tona, me gjuhën tonë, prandaj kërkoi dalje sa më masive të shqiptarëve më 30 shtator.

FATLUM AQIFI