Maqedoni

Marrëveshja e Prespës, Dimitrov: Ka shumë dezinformata, nuk humbasim identitetin

24.09.2018 14:01

“Anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike kalon nëpërmjet tejkalimit të problemit me Greqinë, nuk ka plan B”....

“Anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike kalon nëpërmjet tejkalimit të problemit me Greqinë, nuk ka plan B”,- ripërsëriti ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, në deklaratën në Shkup, që pos tij kanë dhënë edhe liderët e NATO-s dhe vendeve të BE-së. Por, Dimitrov vlerëson se ka shumë dezinformata në këtë periudhë lidhur me përmbajtjen e Marrëveshjes së Prespës, prandaj sqaroi hollësisht nenet që kanë të bëjnë me emrin e shtetit, me kombësinë dhe me gjuhën. 

“Lidhur me përcaktimin gjeografik, shtohet përcaktimi e “Veriut” ndaj emrit Maqedoni. Akoma ka debat lidhur me termin “nationality”. Termi “nationality” do të thotë shtetësi, në anglisht përkatësia etnike është “ethnicity”. Shtetësia do të jetë maqedonase/qytetar i Maqedonisë së Veriut. Gjuha zyrtare do të jetë gjuhë maqedonase. Kjo është edhe në KB nga viti 1977, megjithatë për shkak të këtij problemi, në kuadër të BE-së ne nuk kemi nënshkruar marrëveshje dhe as që kemi cekur gjuhë maqedonase. Kjo është me rëndësi dhe me këtë të afirmohet gjuha maqedonase, kodet ndërkombëtare mbesin MK dhe MKD me përjashtim të targave”,- tha ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.

Dimitrov sqaron se amendamentet kushtetuese nuk janë negociuar me Greqinë dhe formulimi i tyre do të bëhet nga pala e Maqedonisë dhe ato do të miratohen me 2/3 e votave të Kuvendit. Ai vlerëson gjithashtu se shoqëria në vend është mjaftueshëm e pjekur që të përballet me realitetin.

“Rruga deri në NATO dhe BE, ku anëtare është edhe Greqia, shkon nëpërmjet tejkalimit të këtij problemi. Kjo mund të mos jetë e këndshme, por ky është realiteti. Që të ulemi në atë tavolinë nevojitet që të gjithë që janë aty të duan të ulemi edhe ne”,- tha ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.

Dimitrov përsëriti se garancitë për pranimin e vendit në Aleancë janë të fuqishme, pasi që marrëveshja nuk mund të hyjë në fuqi nëse Greqia në Parlamentin e saj nuk i ratifikon protokollet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

NAIM RAMADANI