Maqedoni

Parandalimi i korrupsionit, Deskovska: Në KShPK, vetëm njerëz me integritet

24.09.2018 14:26

Versioni i dytë i Ligjit për parandalimin e korrupsionit, është botuar në regjistrin e vetëm kombëtar elektronik....

Ligji aktual u plotësua në vitin 2002 dhe që atëherë është ndryshuar 7 herë. Me ndryshimet e kërkuara shtohen kompetencat e KShPK-së, duke i mundësuar qasje në të dhënat e financimit të fushatave nga partitë politike, gjithashtu obligohen institucionet të përgjigjen në të gjitha kërkesat e anti-korrupsionit me afate të përcaktuara qartë, qasje tek të gjitha furnizimet publike, ku ka dyshime për keqpërdorime, qasje në të gjitha transaksionet bankare të funksionarëve dhe kompetenca të shtuara  për kontroll të  pasurive e se tyre, madje edhe deri në 2 vjet pas përfundimit të mandatit, për të parë nëse ka ndryshime të pasurive të paraqitura. 
 
Ministrja Deskovska pranon se Komisioni Antikorrupsion duhet të ketë më shumë ingerenca, por për të pasur integritet, anëtarët e saj nuk duhet kenë asnjë lidhje me politikën në të paktën 10 vitet e fundit.
 
“Një prej kritereve për zgjedhje është që personi që do të zgjidhet si anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e  Korrupsionit  të mos ketë pasur funksion politik në qeveri, parlament, apo të mos jetë donator i partive politike në 10 vitet e fundit. Kritere të tjera janë  përvojë në zbardhjen dhe parandalimin e korrupsionin, përvojë profesionale dhe gjithsesi garanci në vete është edhe procedura e emërimit”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
 
Ndryshimet e reja ndërthurin Ligjin për parandalimin e  korrupsionit dhe Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave. Tashmë propozim ligji është në pritje të vërejtjeve dhe sugjerimeve të ekspertëve dhe shoqatave joqeveritare. 
 
“Pyetjet që duhet të zgjidhen janë: se si ky trup do të bashkëpunojë me institucionet e tjera, procedurat dhe cilat kompetenca do t’i ketë ky trup. Instrumentet ndërkombëtare kërkojnë  që këto institucione të jenë efikase dhe të mund të ndërmarrin masa konkrete të cilat do të shkaktojnë ndonjë reagim apo përgjegjësi të përforcuar institucioneve që ata i kontrollojnë”,- tha Sllagjana Taseva nga “Transparancy Internacional”.
 
Deskovska nuk deshi të komentojë rreth raportit të PSP-së, ku përmenden emra të 4 gjykatësve, që ende punojnë në Gjykatën Penale, dhe kryetarin e Gjykatës Supreme. 
 
“Në pjesën e shkarkimit të gjykatësve, Ministra e Drejtësisë nuk ka kompetenca dhe nuk mund të ndërhyjë. Ne, sikurse i gjithë opinioni publik, presim që Këshilli Gjyqësor të punojë në mënyrë profesionale dhe të marrë parasysh të gjitha deklarimet, faktet dhe dëshmitë e institucioneve relevante”,- u shpreh ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
 
Ministria e Drejtësisë po punon aktualisht në pakon e fundit të ndryshimeve në Ligjin për Gjykata dhe Këshillin Gjyqësor.
 
REJHANE BUSHI METAJ