Maqedoni
KShZ vazhdon përgatitjet, kuvendi vendos të mos akreditojë vëzhgues
24.09.2018 14:52
1260 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm janë paraqitur në 80 komisionet komunale zgjedhore për të votuar në referendumin për emrin....

Këta persona si dhe 1.558 të burgosur, 7 persona në arrest shtëpiak, si dhe 2.694 votues nga diaspora, për pyetjen e referendumit do të deklarohen më 29 shtator, pra një ditë para të tjerëve. Votimi i parë në referendum do të jetë të mërkurën, më 26 shtator, kur në vendvotimin në KShZ, të drejtën e tyre do ta shfrytëzojnë 104 anëtarë dhe zëvendësanëtarë të këshillave zgjedhorë të cilët do të largohem më pas për të organizuar dhe zbatuar votimin në përfaqësitë diplomatike-konsullore ose zyrat konsullore të Maqedonisë jashtë vendit.
Vazhdojnë ndërkohë trajnimet e këshillave zgjedhorë, të cilët në ditën e referendumit do të numërojnë 6 anëtarë. Procesi do të monitorohet nga vëzhgues të akredituar, për të cilët afati për paraqitje përfundon në mesnatë. Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare ende, jozyrtarisht mësojmë se referendum do të monitorohet nga rreth 6 mijë vëzhgues të akredituar. Kuvendi ka vendosur të mos autorizojë vëzhgues nëpër vendvotime gjatë ditës së referendumit marrë parasysh numrin e vëzhguesve të akredituar nga vendi dhe jashtë dhe për këtë e ka njoftuar edhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
“Trupi koordinues i Kuvendit për referendumin vlerëson se organet zgjedhore në mënyrë profesionale do t’i plotësojnë detyrimet e tyre në lidhje me referendumin, duke pasur parasysh se organet zgjedhore përbëhen nga persona të punësuar në administratë, kurse Kuvendi ka besim të plotë te ata”,- thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Fushata përfundon të enjten më 27 shtator në mesnatë. Për referendumin shtypshkronja “Kiro Dandaro” duhet të shtypë 1milion e 806 mijë e 336 fletëvotime, aq sa votues ka të regjistruar në listën e mbyllur të votuesve. Të enjten materiali votues iu shpërndahet Këshillave Komunalë Zgjedhorë. Votimi më 30 shtator fillon në orën 07:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00.
Rezultatet e para nga referendumi të marra në mënyrë elektronike, KShZ do t’i publikojë ashtu si vijnë, ndërsa të dhënat nga procesverbalet përpunohen në afat prej 24 orëve pas marrjes së procesverbaleve dhe tërë materialit të votimit nga të gjitha KKZ-të. Rezultatin nga votimi, KShZ-ja e publikon në Gazetën Zyrtare në afat prej 15 ditëve nga dita e mbajtjes së referendumit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
