Maqedoni

LSDM: Ivanov do izolim, Maqedonia voton të ardhmen, Dimitrov: Ivanov “mbron” Kushtetutën duke e shkelur

24.09.2018 15:12

LSDM ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Ivanov....

LSDM ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Ivanov. “Në javën kyçe për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve të tij, Gjorge Ivanov ka vendosur që të mos largohet nga ideja e tij për izolim të Maqedonisë.  Mbetja e fundit e regjimit kriminal të VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, është kundërshtar i demokracisë, sepse e konteston mjetin më të rëndësishëm demokratik – votimin, përmes të cilit u bë edhe president. Qëndrimi i Ivanovit është i turpshëm dhe ikje nga përgjegjësia. Për fat të qytetarëve, Ivanovi nuk është ai që vendos për të ardhmen. Ivanovi është shumë i vogël dhe shumë pak i rëndësishëm, qytetarët dhe vullneti i tyre janë madhështia e Maqedonia, ata do ta sjellin vendimin. Maqedonia do të zgjedh të ardhmen. Ivanov mbetet i vetëm, i robëruar në idenë e tij për izolim”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.

Edhe shefi i Diplomacisë, Dimitrov, thotë se Ivanov i referohet gjithnjë mbrojtjes së Kushtetutës, por nuk sqaron se përse shkeli Kushtetutën kur nuk nënshkroi marrëveshjen e miratuar dy herë në Kuvend. Dimitrov përkujton se presidenti është pozita më e lartë sipas Kushtetutës dhe Ivanovi duhet të ketë përgjegjësi më të madhe për mospasje vizioni për të ardhmen e shtetit që drejton. Përkujton se “më 30 shtator vendosin qytetarët, nëse shumica e atyre që dalin në votim thonë “po”, edhe me mospasje eventuale të cenzusit, vendimin e merr kuvendi, por të mos merret pjesë me votë personale në një vendim të këtillë madhor është ikje nga përgjegjësia”,- tha Dimitrov.