Maqedoni

Rasti “Titanik”, Dëgjohen “bombat” për votuesit e Pustecit

24.09.2018 15:28

Vazhdoi dëgjimi i bisedave të përgjuara në gjykimin për rastin “Titanik” të PPS-së për manipulime zgjedhore....

Votuesit e Pustecit vazhdojnë të jenë kryefjala e “bombave”. Përmes një aksioni sekret të filluar një vit para zgjedhjeve të 2013, pushteti i atëhershëm pajisi me letërnjoftime të Maqedonisë banorët e Pustecit, por edhe nga pjesë të tjera të Shqipërisë duke iu mundësuar të votojnë në zgjedhje.
 
Në një bisedë mes ish ministres Jankulloska dhe Kirill Bozhinovskin, dëgjohet se si ministrja ia shpjegon planin e dhënies së letërnjoftimeve banorëve nga Pusteci.
 
“Ljube ka bërë çmenduri të tilla. Ai ju ka dhënë nënshtetësi, por i ka regjistruar në adresë të MPB-së “Dimçe Mirçev” pa numër. Këtë e dinë të gjithë. Por, ne të mos e përhapim”,- i thotë Jankulloska - Kirill Bozhinovskit. Në bisedën mes Jankullovskës dhe Sasho Mijallkovit, del në fakt se ky i fundit e dëgjon për herë të parë temën e Pustecit. “Këtë jemi duke e bërë gjatë gjithë vitit, e di kryeministri, nga ai është”,- i thotë Jankulloska - Sasho Mijallkovit.
 
Në biseda të tjera u dëgjua edhe organizimi i blerjes së votuesve me përkatësi rome në Strumicë. “Jepi Kires të dhëna për “ciganet” dhe sot mbaroni me pagesën. Janë blerë pothuajse gjysma e votuesve, kryeni këtë punë sa më parë”,- i thotë Protugjerit - ish ministri Mile Jankievski. Janakievski dëgjohet edhe në bisedën për  bartjen e organizuar të votuesve nga diaspora.
 
Një tjetër “bombë” risolli në kujtesë edhe mënyrën e financimit të fushatës zgjedhore përmes donacioneve nga bizneset. Shqetësim në bisedë ishte mospranimi i pronarit të  marketeve “Tineks”, Vlladimir Todoroviç, për të financuar fushatën e VMRO-së  nuk ka dhënë para për fushatën zgjedhore.
 
Bozhinovski thotë: “Vllado asgjë nuk ka dhënë, me të vërtetë nuk ka kuptim, dërgojini inspeksione”.
 
Në rastin “Titanik” ish kryeministri Gruevski me ministrat e tij dhe funksionarë të tjerë të lartë të VMRO-së  akuzohen për shkelje të së drejtës së votës, të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe shpërdorimin e fondeve për financimin e fushatës zgjedhore të VMRO-së në vitet 2011 dhe 2013. 
 
REXHEP QAMILI