Rasti i Sopotit, nuk miratohet kërkesa për dëmshpërblim
Pas 15 viteve procedurë penale dhe vuajtje të dënimeve me burg....

Pas 15 viteve procedurë penale dhe vuajtje të dënimeve me burg, sopotasit sërish kthehen në procedura gjyqësore, por kësaj radhe në procedurë civile. Pala mbrojtëse e quan absurd vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për mosmiratimin e kërkesës për dëmshpërblim, sidomos duke pasur parasysh faktin se kohë më parë vetë ministrja Deskovska foli për dëmshpërblim të të dënuarve të pafajshëm në rastin “Sopoti”.
Procedura gjyqësore paraqet ngarkesë dhe shpenzime financiare që ata nuk mund t’i mbulojnë, thotë avokati Pacuku, sipas të cilit në njoftimin e Ministrisë nuk ka as një arsyetim ligjor se pse nuk miratohet kërkesa.
“Ministria është kontradiktore ku na pranon të drejtën e dëmshpërblimit, mirëpo në kundërshtim me Ligjin na udhëzon që të realizojmë të drejtën në procedurë civile. E drejta për realizimin e kësaj kërkese qëndron sipas Ligjit, mirëpo nuk qëndron mënyra se si Ministria e Drejtësisë nuk ofron as një vlerë për dëmshpërblim për këtë rast. Procedura civile do të implikojë mjete financiare për të gjithë në rastin e Sopotit, do të duhet një vlerë shumë e lartë për t’i përballuar shpenzimet gjyqësore rreth 200 apo 300 mijë denarë të cilat mjete sopotasit nuk i kanë e nuk kanë mundësi t’i përballojnë këto shpenzime dhe rrethana tjetër është se kjo procedurë do të zgjasë dy tre-vjet”,- theksoi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
LUTFIU - SULEJMANI: KËRKOJMË TË DREJTËN, PO QE NEVOJA DHE NË STRASBURG
Sopotasit të zhgënjyer vite me radhë, theksojnë se drejtësinë do të vazhdojnë ta kërkojnë, nëse e paraqet nevoja edhe në Strasburg. Ata theksojnë se kanë pasur vështirësi financiare edhe gjatë procedurave deri më tani, por që nuk do të ndalen nëse është nevoja dhe të shesin gjithçka çka kanë.
“14 vjet pa pikën e fajit, kemi pasur harxhime, borxhe, na kanë ndihmuar shoqëria, Zoti u ndihmoftë edhe atyre. Nuk di ç’të them, kemi shpresuar në Ministrinë e Drejtësisë, kjo i paska kthyer letrat. Çka na takon kemi dëshirë me na i dhënë hakun tonë, nuk kërkojmë çka nuk bën veç çka bën. Shkoj gjatë, mandej secili do të heq prej vite përgjegjësinë, nuk di, unë besoj të bëhet mirë, të punojë drejtësia, shpresojmë, nuk kemi çka tjetër”,- tha Sulejman Sulejmani.
“E shihni edhe vet moshën e plakut se sa i moshuar është edhe sa do të presë ai, a e llogarit dikush këtë apo e bëjnë me qëllim. Tek ne kjo gjithmonë bëhet me qëllim jo një dit e dy por me vite, kështu edhe në gjykatë na e bënin tash edhe këtu, veç po e zvarrisin, nuk di çka të bëjmë. Ne do të shkojmë deri në fund, edhe nëse vdes plaku, deri në Strasburg do të shkojmë, faj e borxh si kemi akujt. Turp duhet të kenë edhe politikanët tanë ç’bëjnë me ne, se këta i kanë fajet më shumë”,- tha Samet Lutfiu.
DESKOVSKA: PËR DËMSHPËRBLIMIN VENDOS GJYKATA
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, thekson se fillimisht për dëmshpërblimin duhet të vendos gjykata.
“Nga aspekti i Ministrisë së Drejtësisë nuk ka refuzim, por procedura shkon që ata të kërkojnë në Gjykatë se nëse në mënyrë të padrejtë kanë qenë të arrestuar e ngjashëm. Në këtë rast, ata drejtohen tek Ministria e Drejtësisë për marrëveshje”,- u shpreh ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Deskovska thotë se nuk ka kritere të caktuara për raste të tilla, prandaj Ministria i drejton palët në procedura gjyqësore civile, duke potencuar se as për këtë rast nuk mund të ketë trajtim të veçantë. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
