Maqedoni

Integrimi në BE, Zaev: Të trefishojmë përpjekjet; Zhbogar: Jeta është më shumë se veç politikë

25.09.2018 17:33

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi shumëfishimin e përpjekjeve për zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit në BE....

Me datën për bisedime të caktuar për në qershor të vitit të ardhshëm, Qeveria e Republikës së Maqedonisë hyri në një proces me sinqeritet dhe vendosmëri të dëshmojë se deri atëherë do të ballafaqohet me çdo sfidë dhe do të japë rezultate, tha Zaev në pikën kufitare Bllacë, gjatë përurimit të dy objekteve për inspektim ushqimor, veterinar dhe bujqësor, të ndërtuara me para të BE-së.
 
“BE njohu trendet pozitive në zbatimin e reformave në vendin tonë, ndërkaq Marrëveshja e Prespës na solli datën për bisedime për anëtarësimin tonë. Është përgjegjësia jonë që të dyfishojmë dhe trefishojmë përpjekjet tona drejt këtij caku. Sa më shpejtë që të zbatojmë reformat këtu dhe sa më shpejtë që të arrijmë standardet e BE-së, aq më shpejtë do të jemi të përgatitur për të ecur rrugën drejt portave të hapura të bashkimit më të fuqishëm ekonomik dhe të bëhemi anëtari i tij i barabartë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas Zaevit, kjo mbështetje është inkurajim i fuqishëm dhe nxitje se Maqedonia është në rrugën e duhur dhe se institucionet veprojnë në mënyrën e duhur. Jeta nuk është vetëm politikë, qytetarët kanë nevoja të ndryshme, tha euroambasadori Zhbogar, duke iu referuar kërkesave të qytetarëve në takimet që ka realizuar delegacioni i BE-së në disa qytete për të mësuar se cilat janë pritjet e tyre nga BE.
 
“Mesazhet që marrim nga takimet me qytetarë janë të qarta, nga njëra anë shteti është shumë më shumë se Shkupi dhe nga ana tjetër jeta është shumë më shumë se veç politikë. Jeta ka edhe bujqësinë, ambientin, sigurinë e ushqimit dhe shëndetësinë”,- u shpreh ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
 
Ndryshe në pikën kufitare Bllace, u lëshuan në përdorim dy objekte ku do të bëhet kontroll i të gjitha mallrave ushqimore me origjinë bimore dhe shtazore. Objektet janë ndërtuar me para dhe nga Programi IPA 2 dhe kanë kushtuar mbi 800 mijë euro. Kjo është pika e katërt e inspektimit e ndërtuar me fonde të BE-së, pas pikës kufitare Bogorodicë dhe Mexhitli në kufirin me Greqinë dhe asaj në Tabanoc, në kufi me Serbinë.  
 
SHPËTIM NUREDINI