Maqedoni

Marrëveshja e Prespës, Zhidan: Hap dyert e integrimit euroatlantik; Xhaferi: Integrimi euroatlantik, prioritet i lartë

25.09.2018 17:53

Integrimi në strukturat euroatlantike hap mundësi të panumërta...

Integrimi në strukturat euroatlantike hap mundësi të panumërta, zhvillim ekonomik dhe kushte më të mira për jetë, ndërkaq marrëveshja e Prespës ia hap këto dyer Maqedonisë, deklaroi kreu i Kuvendit të Sllovenisë, Dejan Zhidan, pas takimit me homologun e tij në Shkup, Talat Xhaferin, duke cilësuar referendumin si mundësi historike për qytetarët e Maqedonisë.
 
“Zgjidhjen që e ofron Marrëveshja e Prespës i hap dyert e NATO-s dhe mundëson fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa në të njëjtën kohë edhe ruan identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase të cilët shumë kohë më parë kanë qenë brengë e popullit maqedonas”,- tha kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, Dejan Zhidan.
 
Nga ana tjetër, homologu i tij, Talat Xhaferi, tha se Maqedonia mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike.
 
“Integrimi euroatlantik i RM-së mbetet në prioritetin e lartë të parlamentit dhe qeverisë së RM-së. Me realizimin e planit 3-6-9 të qeverisë dhe përpjekjet për zbatim të planit 18 të ashtuquajtur të qeverisë, parlamenti mbetet koshient për të vënë vulën në gjithë atë proces”,- theksoi kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
 
Vizita e Zhidan në prag të referendumit nënkupton vërtetim të mbështetjes së  Sllovenisë për Maqedoninë, tha Xhaferi. Ai shtoi se dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, duke nënvizuar rëndësinë e Sllovenisë në procesin e Bërdo-Brionit. (Naim Ramadani, TVM2)