Diversiteti kulturor dhe BE, artistët mirëpresin mundësitë e reja që hapen
Shumëllojshmëria e kulturave është një pasuri që sjell zhvillim dhe përparim....

Shumëllojshmëria e kulturave është një pasuri që sjell zhvillim dhe përparim, pjesëmarrja e Maqedonisë në familjen evropiane, ku ka diversitet kulturor, do të jetë një privilegj i madh për njerëzit e kulturës së vendit, u vlerësua në debatin me temë “Maqedonia Evropiane, fuqia e diversitetit kulturor”. Artistët integrimin e Maqedonisë në familjen evropiane e shohin edhe si mundësi të mirë për zhvillimin e veprimtarive të tyre jashtë vendit.
“Unë, që të kem ekspozitë në Evropë, duhet që të nxjerr shumë dokumente nga Ministria e Kulturës, nga ente të ndryshme, kështu që për realizimin praktik të ekspozitës duhet që shumë gjëra t’i rregullosh paraprakisht. Të jemi pjesë e Evropës këto gjëra nuk do t’i kemi problem”,- tha piktori, Reshat Ameti.
“Diversiteti kulturor është një burim i paçmueshëm dhe pasuri e një shoqërie. Kujdesi për të ruajtur llojllojshmërinë e kulturave dhe traditave të ndryshme paraqet një pasuri që një vend kontribuon në ruajtjen e vlerave dhe traditave të ndryshme shoqërore. Përmirëson kushtet jetësore, njohjen sa më të mirë të popullsisë me kultura të ndryshme”,- tha violinisti, Blerim Grubi.
Autoritetet thanë se Bashkimi Evropian investon miliarda euro në industrinë kulturore dhe krijuese, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për zhvillimin e infrastrukturës kulturore, që do të ishin të mirëseardhura për zhvillimin kulturor të Maqedonisë.
“Nëpërmjet implementimit të këtyre projekteve evropiane, ne mësojmë se si të komunikojmë dhe të jemi të barabartë me kolegët tanë evropianë. Projektet evropiane janë rruga jonë drejt BE-së, ndërsa shteti ynë shndërrohet në krijuesin aktiv të politikave në hapësirën kulturore të Bashkimit Evropian”,- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri.
“Asnjë popull nuk do të na respektojë, në qoftë se ne vet nuk do ta respektojmë identitetin tonë kulturor. Ne në atë drejtim kemi pasuri të madhe dhe jo rastësisht mendoj që kemi vend në familjen e BE-së dhe kuptohet që çdo mundësi në të ardhmen për ta zhvilluar kulturën do ta shfrytëzojmë në maksimum”,- u shpreh kryetari i komunës Çair, Visar Ganiu.
Është e rëndësishme që Maqedonia të kontribuojë në vizionin kulturor të BE-së, duke pasur parasysh edhe faktin që agjenda kulturore e BE-së fokusohet në gjeneratat e reja të një shteti, u tha në debat. (Ersan Pajaziti, TVM2)
