Vendkalimi kufitar Bllacë, mallrat e importuara do të kontrollohen
Prej sot, të gjitha ushqimet me prejardhje bimore dhe shtazore të cilat do të futen në Maqedoni.....

Prej sot, të gjitha ushqimet me prejardhje bimore dhe shtazore të cilat do të futen në Maqedoni, nuk do të lëshohen në treg pa kontrolle veterinare dhe kontrolle fitosanitare.
Mallrat e dyshimta do të mbahen në vendkalimin kufitar Bllacë për analiza të detajuara dhe nuk do të vazhdojë praktika e mëparshme, e importit të mallrat në vend pa kontroll. Inspektorët, nga ana tjetër, do të kenë kushte për të punuar 24 orë. Dy objekte të cilat u lëshuan në përdorim, njëri është në kompetencë të AUV-së për kontrolle veterinare, ndërsa tjetri për kontrolle fitosanitare të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi.
“Kur flasim për objektet, dëshiroj të theksoj se ato përmbajnë hapësira funksionale për pranimin e ushqimeve me origjinë shtazore dhe bimore. Me hapësira për laboratorët e shërbimit, pastaj me regjim të ndryshëm të temperaturës, si dhe hapësira për stafin... Kontrolli kufitar veterinar është faktor kyç për garantimin e sigurisë se kafshët dhe prodhimet me prejardhje shtazore, të cilat hyjnë në vend, janë të sigurta dhe i plotësojnë kushtet për import. E njëjta vlen edhe për bimët, kontrollin e të cilave e zbaton inspektimi fitosanitar",- deklaroi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Zoran Atanasov.
“Objekti i ri i ISHB-së garanton shërbim të shpejtë, në kohë dhe cilësor në zbatimin e kontrollit të qarkullimit me farë dhe fidanë, si dhe mjete për mbrojtjen e bimëve dhe repromaterialeve të nevojshme për prodhimtari cilësore. Objekti për inspektim veterinar ka hapësira funksionale me pajisje sipas standardeve evropiane që gjithashtu garanton analiza të sakta të çdo dërgese që hyn përmes këtij vendkalimi”,- tha ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, Lupço Nikollovski.
Të dy objektet janë ndërtuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të instrumentit për ndihmë parainkuadruese IPA dhe kushtojnë 700,000 euro. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
