Guterres: Bota po vuan nga mungesa e besimit
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres....

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në hapjen e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, ka deklaruar se bota po “vuan nga një rast i rëndë i një çrregullimi të mungesës së besimit”.
“Njerëzit po ndihen të pasigurt dhe besimi është në pikë të ulët – besimi në institucionet kombëtare, besimi në mes shteteve”, tha Guterres.
Duke i bërë thirrje liderëve botërorë që të kundërshtojnë unilateralizmin, Guterres ngriti alarmin për çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, për rritjen potenciale të konflikteve bërthamore, nevojën që njerëzit të përfitojnë nga teknologjitë e reja dhe për domosdoshmërinë për t’u mbrojtur nga rreziqet që vijnë nga “veprimet me qëllime të këqija në hapësirat kibernetike dhe inteligjenca artificiale”.
Punimet në Asamblenë e Përgjithshme do të zgjasin një javë. Gjatë ditës së sotme, liderët e 32 vendeve anëtare, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet t’i adresohen Asamblesë.
