Maqedoni

Xhaferi: Të votojmë “po” për të hequr barrierat e izolimit; Ahmeti: Më 30 shtator votohet për shtet

26.09.2018 13:14

BDI mbajti mbrëmë tubim në Shkup për të kërkuar jo vetëm votë “pro” integrimit euroatlantik të vendit....

BDI mbajti mbrëmë tubim në Shkup për të kërkuar jo vetëm votë “pro” integrimit euroatlantik të vendit, por një “po” të fuqishme pro ardhmërisë. Kryeparlamentari Xhaferi përkujtoi se ky është moment për të hequr barrierat e izolimit. 
 
Kreu i BDI-së, Ahmeti, kërkoi që të mos mendohet me kalkulime politike, sepse më 30 shtator votohet për shtet, e sipas tij, ky është momenti kur çdo qytetar e jo vetëm politikanët, janë burrështetasit që vendosin ardhmërinë e brezave të ardhshëm.
 
“Tani është çasti për vendimin historik, t’i heqim barrierat që na mbajnë të izoluar në këtë truall e nuk lejojnë të ecim para. Është koha të bëhemi një me familjen dhe vlerat evropiane. Të marrim vendim të drejtë se me votim “po”, ne i themi “po” ardhmërisë europiane, do i themi “po” NATO-s, do i hapim dyert për investime, vende të reja pune, hapësirë për të rinjtë për punë e studime”,- tha kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
 
“Më 30 shtator duhet të gjithë ata që kanë dilemë, të mos llogarisin në zgjedhjet e ardhshme, por në shtetbërjen e  këtij vendi, sepse më 30 shtator votohet për shtet. Duhet të gjithë të veprojmë si burrështetas e jo të llogarisim në fitore partiake. Më 30 shtator nuk duhet menduar nëse votoj çfarë përfitoj, apo nëse duhet të bojkotoj. Më 30 shtator njerëzit dalin e  votojnë për ardhmëri e për siguri”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.