Maqedoni
Rasti “Tanku”, Urko arsyeton blerjen e Mercedezit
26.09.2018 14:03
Në Gjykatën Penale në Shkup, vazhdon procesi gjyqësor për procedurën e ndarë në rastin “Tanku”...

Në Gjykatën Penale në Shkup, vazhdon procesi gjyqësor për procedurën e ndarë në rastin “Tanku”, ku e akuzuar është ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska.
Në dëshminë e tij, ish shefi i sigurisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, Dejan Mitrevski, tha se Mercedesin luksoz e kanë shfrytëzuar vetëm atëherë kur Mercedesi i vjetër pësonte defekt. Ai dha detaje të hollësishme se si Mercedez i vjetër që përdorej nga ish kryeministri, kishte problem me timonin, dyert që bllokoheshin, dritaret që hapeshin e mbylleshin vetë, klimë jofunksionale dhe këto kanë qenë arsyet që, sipas tij, për lëvizjet e Gruevskit, huazoheshin vetura të funksionarëve të tjerë të lartë, përfshirë veturat e presidencës, kuvendit apo të MPB-së.
Në seancë dëshmoi edhe eksperti, Tale Geramitçioski, sipas të cilit ka pasur mundësi të blihen edhe marka të tjera veturash që plotësonin të njëjtat kushte të sigurisë. Ai tha se MPB ka kopjuar tërësisht katalogun nga firma vendase importuese e Mercedesit në kërkesën për blerje të veturës së blinduar. Gjatë kopjimit madje i kanë kopjuar edhe gabimet e katalogut, pra, sipas tij, vetura nuk është përzgjedhur me karakteristika të veçanta, por duke pasur parasysh një veturë ekzistuese në atë katalog të veçantë.
Mbrojtja kontestoi dëshminë e ekspertit të siguruar nga PSP, duke thënë se bëhet fjalë jo për ekspertë por për funksionarë të LSDM-së. Për rastin “Tanku”, kryeministri Gruevski u dënua me 2 vite burg, ndërsa ndihmësministri në MPB, Gjoko Popovski, me 6 vit e gjysmë burg. Gruevski ende pret vendimin e Apelit ku e ka ankimuar vendimin e dhënë nga Gjykata e shkallës së parë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
