Maqedoni

“Familjet katolike shqiptare në Shkup”, libër dhe ekspozitë për ata që i kemi “harruar”

26.09.2018 17:42

90 vjetori i nisjes nga Shkupi për në misionin e shenjtë jetësor të Shën Terezës, humanistes dhe nobelistet shqiptare....

90 vjetori i nisjes nga Shkupi për në misionin e shenjtë jetësor të Shën Terezës, humanistes dhe nobelistet shqiptare, që u kthye në nënën e më të varfërve të botës, është përkujtuar sivjet në një mënyrë tepër të veçantë, me promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj, dhe Natasha Didenko dhe ekspozitës dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”. Përmes fotove, fakteve e dëshmive, autorët synojnë të pasqyrojnë historinë e familjeve katolike shqiptare të Shkupit, të cilat gjithnjë e më tepër po mbulohen nga pluhuri i harresës.
 
“Përveç dëshmive arkivore, ne kemi intervistuar dhe kemi vjelë dokumente dhe faktografi tek familjet këtu që gjenden, të cilat janë një pasuri e jashtëzakonshme për historinë  e popullit shqiptar. Një ndër punët që instituti bën është edhe argumentimi edhe veprimtaria e Gonxhe Bojaxhiut në qytetin e saj të lindjes. Nënë Tereza është e botës nuk është vetëm e popullit shqiptar, por Gonxhe Bojaxhiu është e Shkupit, është e jona”,- tha drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
 
“Gjuha, arsimi, teatri, kënga, kostumet, mënyra e jetesës, ishte alfabeti shpirtëror i shqiptarëve, kurse katolikët shqiptarë të Shkupit i dhanë kuptim qenies kombëtare, duke integruar këtë alfabet në sfondin e përgjithshëm të civilizimit perëndimor aty ku shqiptarët bëjnë pjesë”,- tha publicisti, Emin Azemi.
 
Harresa historike për këta katolikë shqiptarë këtu vjen edhe për faktin se me  historinë e tyre më shumë po merren të tjerët.
 
“Me gjithë punën e madhe që bën instituti, ne si shqiptarë nuk jemi duke punuar aq sa duhet, Akademia e Shkencave të Serbisë dhe shkencëtarët po merren me gënjeshtra të kulluara dhe me projekte antishqiptare”,- u shpreh koordinatori i Qeverisë së Kosovës për vitin e Skënderbeut, Jahja Lluka.
 
Por, edhe pse mburremi me Nënë Terezën, askush nuk bën asgjë për komunitetin e vogël të katolikëve shqiptarë. Edhe pse u paralajmërua që të paktën në këtë 90 vjetor do të mbahej një meshë në shqip, nga katedralja e shtëpisë së Nënë Terezës nuk u drejtua asnjë lutje.
 
“Vetë katedralja “Zemra e Krishtit”, vetë tabela në hyrjen e kishës është shkruar vetëm në dy gjuhë, në anglisht dhe maqedonisht. Por, mesha drejtohet në gjuhën kroate, mund ta paramendoni se si e ndjemë veten të cilët jemi pagëzua në atë kishë, jemi martuar aty dhe mos të mund të dëgjojmë meshën në gjuhen e nënës”,- u shpreh përfaqësuesi i familjeve katolike, Anton Sereqi.
 
Derisa autoritetet nuk kujdesen për fatin e katolikëve shqiptarë, ITKSh bën pjesën e vet të detyrës edhe kombëtare për mbajtjen gjallë të kujtesës për ta. Libri dhe ekspozita e njëjtë u mbajtën tashmë edhe në Nju Jork, Prishtinë dhe Tiranë.
 
REJHANE BUSHI METAJ