Maqedonia fillon procesin e skriningut
Maqedonia edhe zyrtarisht fillon procesin e skriningut gjatë ditës së enjte.....

Maqedonia edhe zyrtarisht fillon procesin e skriningut gjatë ditës së enjte. Një delegacion 40 anëtarësh, i kryesuar nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, është nisur drejt Brukselit për të hapur skriningun këshillues mbi kapitullin 23, i cili përfshin gjyqësinë dhe të drejtat fondamentale.
“Delegacionin qeveritar do ta kryesojë negociatori politik, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, dhe negociatori kryesor teknik, Bojan Mariçiç, bashkë me ta do të jetë edhe ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, por kemi edhe përfaqësues nga sistemi gjyqësor, ai i sigurisë në RM si dhe nga Ministria për Punë të Brendshme, Politikë Sociale, Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, si dhe përfaqësues nga Sekretariati për Çështje Europiane”,- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Edhe pse bartës të këtij procesi janë administrata dhe institucionet, Qeveria ka publikuar shpallje për angazhimin e ekspertëve që me ekspertizat e tyre mund të ndihmojnë në procesin e skriningut këshillues dhe negociues, por deri tani nuk është angazhuar asnjë ekspert i jashtëm.
“Për momentin zyra e zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, publikoi shpallje për ekspertë vendorë të cilët do të përfshihen në punë. Për momentin ende nuk kemi angazhuar ekspertë të huaj. Nëse do të paraqitet nevoja për një gjë të tillë, do të shohim pas kthimit nga Brukseli, kur do të mund të na japë informatë zëvendëskryeministri, Bujar Osmani”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Për rrjedhën e procesit të skriningut në këto dy ditë, të premten, kryesuesi i delegacionit do të ketë konferencë për shtyp së bashku me eurokomisarin Han. Pas përfundimit të skrinungut shpjegues për 33 kapituj, do të fillojë skriningu bilateral. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
