Hoxha: Stabiliteti i jep më shumë perspektivë biznesit
Biznesi kërkon siguri, investuesit kërkojnë stabilitet.....

Biznesi kërkon siguri, investuesit kërkojnë stabilitet. Bizneset janë të vetëdijshëm se një vend stabil, ku funksionin shteti ligjor dhe rregullat, është parajsë për tërheqjen e investimeve të huaja. Për të diskutuar pikërisht perspektivën që i hapet vendit nga anëtarësimi në NATO dhe BE, funksionarë të lartë të BDI-së u takuan sot me bizneset e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore.
“Ne si Odë Ekonomike gjithmonë edhe në strategjinë tonë e kemi pasur si pikë kyçe në zhvillimin ekonomik të vendit. Zhvillimi ekonomik i vendit është kyç i lidhur me një stabilitet dhe siguri të vendit dhe kjo do të thotë se një vend i cili ka aspirata dhe dëshiron të kyçet në BE, kjo nënkupton edhe një perspektivë më e mirë për vendin”,- u shpreh kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
OSMANI: ANËTARËSIMI NË NATO, MË TEPËR ZHVILLIM EKONOMIK
“Diku para 15 viteve, Maqedonia dhe Estonia ishin në një pikë sa i përket BPV-së dhe tani pas anëtarësimit të Estonisë në BE dhe NATO, kemi një lëvizje drastike të zhvillimit atje dhe një ngecje këtu tek ne. Kjo është pasqyra e qartë se çka do të thotë NATO dhe BE për biznesit për ekonominë, për investimet e huaja për vendet e reja të punës, për paga më të larta, për arsim cilësor për shëndetësi më cilësore”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Osmani thotë se Qeveria është në shërbim të odave ekonomike dhe biznesit për të lehtësuar mundësinë e zhvillimit tregtar, që natyrisht do të ndikojë edhe në BPV, por edhe në të mirat drejtpërdrejt që ndikojnë në xhepin e qytetarëve. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
