Maqedoni

Ahmeti: Vota ‘Për”, çelësi që hap dyert e një jete më të mirë

27.09.2018 15:02

Lideri I BDI-së Ali Ahmeti, përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve, kërkon dalje sa më masovike në referendumin e së dielës...

Lideri I BDI-së Ali Ahmeti, përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve, kërkon dalje sa më masovike në referendumin e së dielës. “30 shtatori i vitit 2018 nuk përsëritet më! 30 shtatori është shansi i fundit i gjeneratës sonë për ta siguruar të ardhmen e sigurtë të fëmijëve tanë dhe të gjeneratave pas nesh. Më 30 shtator shënohet vija midis së kaluarës dhe ndërtimit të së ardhmes, midis regresit dhe progresit, midis integrimit dhe izolimit, midis lindjes dhe perendimit! 30 shtatori na bën bashkë, shqiptarë e maqedonas, turq e romë, vlleh e serbë, bashkë me të gjithë të tjerët, për realizimin e ëndrrës së përbashkët për Maqedoninë euroatlantike! Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, Parisi, Roma, Vjena, dhe të gjitha demokracitë perendimore, ashtu siç qëndruan pranë nesh në dy dekadat e fundit, edhe sot janë me ne në përkrahje të vendimit tonë të duhur e të drejtë, më 30 shtator! Vota jonë më 30 shtator është përcaktim i secilit prej nesh për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, për një rajon të stabilizuar, për sundim të ligjit e për shtet të së drejtës, zhvillim ekonomik, për më shumë investime vendore e të huaja, për mirëqenie shoqërore! Pak gjenerata kanë mundësi që të marrin vendime kaq të guximshme dhe kaq të rëndësishme për brezat që do vijnë, prandaj ne kemi përgjegjësi historike që më 30 Shtator ta bëjmë hapin e duhur, të votojmë “Për” integrim në Aleancën Veriatlantike dhe Bashkimin Evropian! Më 30 Shtator nuk ka humbës, ka vetëm fitues! Vota jonë më 30 Shtator është çelësi që hap jo vetëm dyert e NATO-s dhe të BE-së, por edhe të jetës më të mirë për të gjithë ne! Këtë betejë të përbashkët do ta ngadhnjejmë sepse ne jemi të bindur që qytetarët do ta marrin vendimin e duhur PER Maqedoninë Evropiane”, thuhet në letrën e Ahmetit drejtuar qytetarëve.