Fëmijët me shikim të dëmtuar, hapet kopshti i parë senzorik në Maqedoni

27.09.2018 18:09

Fëmijët me shikim të dëmtuar, do të kenë një mundësi më shumë për të mësuar se si të përballen me jetën.....

Fëmijët me shikim të dëmtuar, do të kenë një mundësi më shumë për të mësuar se si të përballen me jetën. Në shkollën për Rehabilitim të Fëmijëve me shikim të dëmtuar "Dimitar Vllahov”, u hap kopshti i parë senzorik, ku këta fëmijë, përmes lojës, nëpërmjet zërave te ndryshme,  prekjes dhe aromës,  do të mësojnë se si të orientohen në ambient të hapur.

“Kopshti senzorik është një klasë një lëndë që do të mbahet në ambient të hapur, me qëllim që fëmijët me shikim të dëmtuar  të mësohen se si të orientohen  nëpërmjet zërave te ndryshme  që  do të dëgjojnë këtu në kopsht”,- deklaroi drejtori i Shkollës Fillore “Dimitar Vllahov”, Goranco Jakimov.

“Ky lloj projekti është i pari këtu tek ne. Tani mësimdhënësit nuk do të ligjërojnë vetëm teori, por nxënësit do të mund ta praktikojnë atë që dëgjojnë”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.

“Ky kopsht për fëmijët me shikim të dëmtuar do të jetë një vend special, zbavitës,  por do të këtë edhe mësim. Nxënësit këtu do të fitojnë vetëbesim  dhe të jenë pjesë e shoqërisë”,- theksoi ambasadori i ShBA-së në Shkup, Xhes Bejli.

Fëmijët e shkollës janë të kënaqur pikërisht sepse përmes kësaj metode, mësimin teorik do ta vënë edhe në praktikë, e kjo do t’ua bëjë jetën më të lehtë.

“Mirë që kanë bërë, kemi ku të luajmë”,- u shpreh një fëmijë.

“Ne dalim me shokët dhe do të luajmë këtu te lodrat e reja”,- tha një fëmijë. 

“Me pëlqen ky kopsht senzorik që ka shumë lodra dhe zëra të ndryshëm”,- theksoi një fëmijë.

Projekti është financuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Maqedoni  dhe në realizmin e projektit janë përfshirë 22 kompani të vendit. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)