Referendumi, qeveria merr masa për lajmet e rreme

27.09.2018 18:29

Qeveria ka ndërmarrë masa shtesë për detektim të lajmeve të rreme.....

Qeveria ka ndërmarrë masa shtesë për detektim të lajmeve të rreme, me qëllim që të mbrojë qytetarët e Maqedonisë nga dezinformatat gjatë fushatës së referendumit, sidomos në dy ditët e heshtjes zgjedhore dhe në ditën e votimit.

Sipas zëdhënësit Boshnjakovski, prioritet i lartë i Qeverisë së Maqedonisë është që qytetarëve t’u mundësohet qasje objektive dhe gjithëpërfshirëse në informacionet relevante dhe të sakta, në bazë të të cilave qytetarët në mënyrë të pavarur do të vendosin se si do të shprehen në referendumin e së dielës.

“Duke pasur parasysh dëmin që mund të shkaktojë propaganda e rreme, gjatë heshtjes së referendumit, qeveria nuk do të lejojë që qytetarët të përballen me lajme të rreme. Qeveria do të vërtetojë faktet dhe do t’i prezantojë para qytetarëve. Gjatë heshtjes për referendumin, çdo publikim që do të detektohet se është dezinformatë apo gjysmë e vërtetë dhe e njëjta do të publikohet se është e pavërtetë në kanalet e informimit të Qeverisë në Twitter dhe Facebook”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.