Fillon procesi i skriningut, Osmani: Ditë historike për vendin tim
Maqedonia edhe zyrtarisht filloi procesin e skriningut....

Maqedonia edhe zyrtarisht filloi procesin e skriningut përmes prezantimit të Kapitullit 23 – gjyqësorit dhe të drejtave fondamentale, ku Komisioni Evropian në detaje do ta prezantojë analizën e vetë për gjendjen e kapitullit 23, pritjet, mënyra me të cilën rrjedhin vetë negociatat.
Zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani, njëkohësisht negociator kryesor politik për anëtarësim, tha se qytetarët e Maqedonisë e kanë pritur gjatë këtë ditë, e cila, sipas tij, paraqet fazën e fundit para anëtarësimit të plotë në BE.
“Është nder dhe privilegj që në cilësinë e zëv/kryeministrit për çështje e evropiane dhe negociator kryesor politik për anëtarësim që të jem sot në Bruksel, në këtë ditë historike për vendin tim, për të shënuar fillimin e procesit të skriningut në takimin sqarues për kapitullin 23 – gjyqësi dhe të drejta fondamentale. E kemi pritur këtë moment për më shumë se 15 vite. Jemi të bindur se ky është ballafaqimi i fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Osmani sqaroi se Qeveria, administrata dhe shoqëria në Maqedoni janë unik në qëllimin për integrimin e vendit në BE. Sipas tij, ekziston gatishmëria për zbatimin e obligimeve që burojnë nga ky proces, por do të duhet ende përpjekje për bindur opozitën maqedonase për të mbështet ndryshimet
“Jemi para një periudhe të ndjeshme, intensive dhe komplekse kur qeveria dhe e gjithë shoqëria do të duhet të përballet me shumë procese paralele. Zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe me Greqinë, përforcimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe njëkohësisht të vazhdojmë me reformat duke kaluar pjesën teknike të skriningut për t’u përgatit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Duhet të ndërtojmë portfolin tonë deri në qershor të vitit 2019 kur presim që Këshilli i BE-së të konfirmojë fillimin e negociatave. Prandaj na duhet të punojmë ngushtë në partneritet me ju, me KE-në dhe delegacionin e BE-së veçanërisht për të ndërtuar konsensus të gjerë nacional për integrimin në BE dhe të sjellim opozitën në votim”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Në këtë takim, Komisioni Evropian prezantoi analizën e Kapitullit 23 – gjyqësorit dhe të drejtave fondamentale, për Republikën e Maqedonisë, ndërkaq grupi punues do të vazhdojë me punë edhe gjatë të premtes, kur pritet t’u bashkohet edhe eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Han. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
