Veseli: Përkrahim Maqedoninë në rrugën drejt BE-së
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po qëndron në Shkup për vizitë zyrtare.....

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po qëndron në Shkup për vizitë zyrtare, ka theksuar se Kosova respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe sido që të jetë vullneti i qytetarëve në referendum për marrëveshjen me Greqinë, Kosova do ta respektojë tërësisht vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë.
“Do të jemi në partneritet dhe përkrahjen në rrugën tonë euroatlantike. Na bashkojnë shumica e interesave tona strategjike si dy vende të pavarura dhe sovrane, kemi prioritete nacionale, integrimin në BE për aq sa edhe integrimin në NATO. Kosova e respekton integritetin territorial të Maqedonisë dhe cili do që të jetë vullneti i qytetarëve për emrin, do ta respektojmë”,- tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
XHAFERI: JEMI ALEATË NË PLANIN E INTEGRIMEVE
Xhaferi dhe Veseli kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe për referendumin e së dielës.
“Përsërisim dhe konstatojmë bashkërisht mbështetjen e ndërsjellë në planin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të të dy vendeve tona. Pata mundësinë që në takim ta informoj z. Veselin për ecurinë, organizimin dhe zbatimin e referendumit pasues më 30 shtator, me ç’rast kisha mundësinë ta njoftoj që i gjithë procesi është duke shkuar konform procedurave dhe asaj që është e përshkuar në legjislacionin tonë”,- u shpreh kryetari i kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Sipas Veselit, Maqedonia dhe Kosova do të shkonin shumë përpara në procesin eurointegrues, nëse do t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet me Greqinë, gjegjësisht Serbinë. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
