Një tjetër investim në Shkup, qendër e re tregtare, investim prej 250 mln euro
Qyteti i Shkupit së shpejti do të bëhet edhe me një qendër të re tregtare....

Qyteti i Shkupit së shpejti do të bëhet edhe me një qendër të re tregtare, me hapësira banimi, hotele dhe parking.
Është ky një investim i Kompanisë turke “Limak” prej 250 milion euro, që pritet të përfundojë për 40 muaj. Investitori nga Turqia premton ndërtim me standarde të larta. Autoritetet mirëpresin shtimin e investimeve të huaja.
“Kompleksi multi-funksional “LIMAK dajmod” është projektuar me të gjitha gjërat e nevojshme, të përpiluara me një standard të lartë dhe modern. Në një hapësirë prej 325,000 metra katrorë do të vendosen zyra pune, qendër fitnesi, restorante, lokale, hotel me 42 dhoma, hapësira banimi, vende për aktivitete kulturore, parking me kapacitet për 2800 vetura...”,- tha anëtari në Këshillin drejtues “Limak”, Sedar Basxhaksos.
“Investimi prej 250 milion euro, i cili pritet të realizohet për 40 muaj, ka ndikim për 5 milion euro në muaj në prodhimin bruto vendor të Maqedonisë. Qeveria në mënyrë të përkushtuar do të punojë për zhvillimin e ndërtimtarisë”,- tha zëvendësministri i ekonomisë, Koço Angjushev.
“Hyrja e “LIMAK - Holldings” do të shërbejë si model duke ndikuar në tërheqjen e të gjithë investitorëve për të ardhur në Maqedoni. Në vitin 2017 kishim një shkëmbim tregtar prej 456 milionë dollarë dhe qëllimi ynë është që të arrijmë 1 miliardë”,- theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Kur erdha si kryetar i qytetit të Shkupit, kjo ishte në fazën përgatitore dhe me dokumentacion të papërgatitur, por për rreth pesë muaj bashkëpunim intensiv arritëm të fillojmë me punën ndërtimore”,- deklaroi kryetari i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
