Arsimi në vend, cilësia e dëshiruar ende mungon, Ademi: Punojmë për arsim cilësor me vlera evropiane
Edhe veteranët e arsimit edhe të rinjtë vlerësojnë se sistemi arsimor në vend....

Edhe veteranët e arsimit edhe të rinjtë vlerësojnë se sistemi arsimor në vend nuk ofron cilësinë e dëshiruar, edhe përkundër reformave pozitive që duket se janë të pamjaftueshme. Sipas tyre, gjatë rrugës reformues janë bërë shumë gabime që tani duhen përmirësuar.
“Ndryshimet imponoheshin nga lart – poshtë, por e njëjta gjë ndodh edhe ditën e sotme. Pa analizuar shumë gjëra, gabuam, nuk i analizuam mundësitë shoqërore ekonomike se sa shteti është në gjendje të financojë ndryshimet që është dashur të ndodhin”,- deklaroi veterani i arsimit, Qamil Xheladini.
“Ata që kujdesen për zhvillimin social, duhet të ndërhyjnë e t’i japin shpresë të rinjve në nivel evropian”,- tha kryetari i Unionit Studentor të UNT-së, Agon Pogragja.
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, thotë se arsimi me vlera bashkëkohore, me vlera europiane, kjo ka rëndësi të madhe për cilësinë e gjeneratave që krijohen e që do të jenë prijësit e shoqërisë sonë.
“Secili prej nesh dëshiron që studimet e doktoraturës t’i bëjë në një nga universitetet më prestigjioze të arsimit të lartë. Secili prej nesh dëshiron që praktikën ta bëjë në një nga kompanitë evropiane të bëjnë trajnime në laboratorë të sofistikuara evropiane. Kohë të mira po vijnë për arsimin, sportin dhe shkencën në përgjithësi”,- theksoi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE do të mundësojë edhe mobilitetin e studentëve dhe kuadrit mësimdhënës, si dhe digjitalizimin e procesit mësimor, u tha në debatin që BDI organizoi për të diskutuar rreth arsimit që duam. (Flutura Latifi, TVM2)
