Botë

Anketë e KDI-së: kosovarët kundër shkëmbimit të territoreve

28.09.2018 15:46

75% e kosovarëve janë të pakënaqur me ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë...

Kështu ka rezultuar anketa e realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, me ç’rast 1066 persona të të gjitha komuniteteve janë intervistuar në periudhën prej 5 deri më 13 shtator të këtij viti.

“Nga rezultatet e para mund të shohim se qytetarët janë të pakënaqur me kahjen që presidenti Thaçi është duke i dhënë dialogut me Serbinë, 75 për qind janë të pakënaqur, ndërsa 20 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me këtë proces. Në përgjithësi, të gjitha komunitetet kanë të njëjtën qëndrim ku ata shprehen se janë të pakënaqur me kahjen e dialogut Kosovë - Serbi”,- tha Jeta Krasniqi nga KDI.

Po ashtu të anketuarit janë shprehur edhe kundër shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve.

“Në bazë të qytetarëve shohim se 77.6 për qind e qytetarëve janë kundër shkëmbimit të territorit si pjesë e një marrëveshjeje mes dy vendeve, 11.3 për qind do të pranonin të ketë shkëmbim territoresh, 11 për qind janë shprehur se nuk e dinë ose refuzojnë të përgjigjen”,- tha Jeta Krasniqi nga KDI.

Ndërsa në pyetjen e KDI-së se cilin version do ta preferonit më shumë, asociacionin e komunave serbe apo ndryshimin e kufijve shumica dërmuese, respektivisht 82.9 për qind janë përgjigjur se nuk do preferonin asnjë nga këto opsione.

GYLTENE SINANI