Referendumi, Maqedonia në heshtje zgjedhore
Fushata për referendumin e 30-shtatorit ka përfunduar mesnatën mes ditës së enjte dhe të premte...

Fushata për referendumin e 30-shtatorit ka përfunduar mesnatën mes ditës së enjte dhe të premte, dhe ka filluar heshtja e cila zgjat deri të dielën në orën 19 kur përfundon votimi.
KShZ ka bërë të ditur se i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e referendumit. Materiali zgjedhor është dorëzuar në 80 komuna të vendit, ndërsa do të votohet në 3480 vendvotime.
Sipas rregullave të Kodit Zgjedhor, prej mesnatës në kontekst të heshtjes zgjedhore, nga hyrja e saj në fuqi, deri në mbylljen e kutive zgjedhore, janë të ndaluara të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediale të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.
Gjatë heshtjes zgjedhore, mediat nuk guxojnë të shpallin informata, fotografi, audio dhe video materiale që lidhen me referendumin.
Nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive njoftuan se fushata “Qëndrimi yt, e drejta jote” e KShZ-së, si fushatë e interesit publik nuk bën pjesë në propagandën e referendumit dhe mund të transmetohet edhe të shtunën edhe të dielën, edhe pse do të jetë heshtje zgjedhore.
Të drejtë vote në referendumin e së dielës kanë 1.806.336 votues të regjistruar në Regjistrin Zgjedhor. Vendvotimet më 30 shtator do të hapen prej orës 7 deri në orën 19.
Një ditë më parë, përkatësisht gjatë ditës së shtunë, do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit, si dhe shtetasit e Republikës së Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.
Për votimin në diasporë janë angazhuar 102 anëtarë të Këshillave Zgjedhor në njësitë diplomatike konsulare të Maqedonisë, ku të drejtën e votës do të mund ta shfrytëzojnë mbi 2 mijë qytetarë.
Të shtunën mund të votojnë edhe 4963 persona me probleme shëndetësore dhe 1558 të burgosur, në paraburgim dhe në burg shtëpiak si dhe 7 persona të zhvendosur.
Referendumi do të vëzhgohet nga 12 mijë vëzhgues nga vendi dhe rreth 500 vëzhgues të huaj.
NAIM RAMADANI
