Thaçi: Mbetem në mbështetje të kërkesës së Luginës

28.09.2018 18:44

Lëvizja Vetëvendosje e përkrahur edhe nga disa organizata....

Lëvizja Vetëvendosje e përkrahur edhe nga disa organizata, ka thirrur për të premten një protestë kundër qëndrimit të presidentit, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve. Por, presidenti Thaçi përsëriti qëndrimin se synimi i tij është plotësimi i kërkesës legjitime të banorëve të Luginës së Preshevës, të cilët kërkojnë t’i bashkëngjiten Kosovës.

Ai thotë se protestën e opozitës e sheh si një protestë kundër bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, ndërsa sqaroi se është kundër ndarjes, kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe kudër asociacionit të komunave me elemente ekzekutive.

“Ekipi qeveritar që është formuar do të zgjerohet edhe me përfaqësuesit e opozitës dhe do të ballafaqohemi me përgatitjet tona për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohjen reciproke, veçanërisht obligative në rrafshin ndërkombëtar dhe demaskimin e plotë të kufirit, e që unë insistoj, punoj dhe e përcjell kërkesën legjitime të përfaqësuesve të luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Njëherit, Thaçi kërkoi unitet mes subjekteve politike për çështjen e liberalizimit të vizave dhe transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura. (Leunora Kaliqi, TVM2)