Maqedoni
KSHZ: Votimi i qetë dhe pa parregullsi, deri në orën 11 jehona 8,03 për qind
30.09.2018 12:50
Deri në orën 11 në 3.480 vendvotime në territorin e Republikës së Maqedonisë votimi po vijon qetë dhe pa parregullsi....

Nga 92,06 për qind të të dhënave të përpunuara prej vendvotimeve deri në orën 11 në votim kanë dalë gjithsej 8,03 për qind e votuesve të regjistruar në këto vendvotime.
Në KSHZ deri në këtë moment, siç informoi në konferencë shtypi zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska janë dorëzuar shtatë ankesa për mbrojtjen e të drejtës personale për votim. Tre prej tyre janë refuzuar, ndërsa katër janë në përpunim e sipër.
Në linjën falas të telefonit 0800 555 44 përmes së cilës qytetarët duhet të paraqesin parregullsi apo të parashtrojnë pyetje në KSHZ, qytetarët e shfrytëzojnë këtë linjë telefonike, ndërsa kryesisht, theksoi Guguçevska, pyetjet janë lidhur me të drejtën e tyre personale për votim. NGA KSHZ apelojnë se në raste të tilla qytetarët t'i lënë të dhënat e tyre për kontakt që të munden shërbimet e KSHZ-së t'u përgjigjen pyetjeve të parashtruara.
Dalje më të lartë, informojnë nga KSHZ, ka në komunën Qendër 13,31 për qind, në Kriva Pallankë 13,8 dhe komunën e Karposhit 12,51, ndërsa më të ulët në komunën e Mogillës 3,16 dhe në Plasnicë 3,30.
Në pyetjen e gazetarëve se pse ka ndryshim lidhur me dorëzimin e materialit zgjedhor pas përfundimit të votimit, zëdhënësja e KSHZ-së, Guguçevska potencoi se dorëzimi i materialit zgjedhor pas përfundimit të votimit prej këshillave zgjedhorë në KKZ parimisht në të gjitha proceset e kaluara është kryer në të njëjtën mënyrë.
"Ndryshimi i vetëm është se tani certifikatat e Listës zgjedhore janë jashtë thasëve të vulosura. Materiali tjetër i besueshëm siç janë fletëvotimet - e shfrytëzuara, të pashfrytëzuara, Ditari për evidentimin e ngjarjeve, ato janë brenda thesit për material të besueshëm zgjedhor dhe duhet të dorëzohen të vulosura në KKZ", sqaroi Guguçevska./Mia
