Maqedoni
Referendumi 2018, që në orën 7 ka nisur procesi i votimit
30.09.2018 12:07
Mbi një milion e 800 mijë votues do të kenë mundësi të votojnë në referendumin e sotëm që organizohet në 3478 vendvotime në 80 komunat e vendit...

Kutitë e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe votimi do të zgjasë deri në orën 19.00. Votimi ka nisur në kohë dhe po zhvillohet pa pengesa edhe në vendvotimin 2607 të komunës së Karposhit në Shkupit. Në këtë vendvotim ka të regjistruar 720 votues.
“Pa asnjë problem u konstatua se hapsira ishte në gjendjen siç e kishim lënë dje, prandaj në 7:00 e hapëm venvotimin. Tani votimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt pa kurrfarë problemesh. Në këtë vendvotim ka të evidentuar 720 persona me të drejtë vote”,- deklaroi kryetarja e Këshillit Zgjedhor në vendvotimin 2607, Zoja Buzallkovska.
Të shtunën votuan edhe personat me probleme shëndetësore, të burgosurit dhe diaspora. Pas mbylljes së votimit në orën 19:00, KShZ rezultatet e para nga referendumi të marra me anë elektronike i publikon në mënyrë suksesive, ndërsa rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbalet dhe i tërë materiali votues nga KKZ në afat prej 24 orësh pas pranimit të tyre. Rezultatet përfundimtare të referendumit, KShZ duhet t’i publikojë më së voni në afat prej 24 orësh nga përfundimi i procesit të votimit.
Rrjedhën e sotme të referendumit do ta vëzhgojnë rreth 12 mijë vëzhgues vendorë dhe 493 të huaj. Po ashtu krahas mediave vendore, referendumin do ta ndjekin edhe gazetarë të mediave të huaja. KShZ ka akredituar 83 gazetarë nga 32 mediume të huaja.
