Maqedoni
“Most”, dalja në votim deri në orën 10 është 5.2%
30.09.2018 12:30
Numër i madh i vëzhguesve vendor; dhe të huaj po ndjekin procesin e votimit për referendumin....

Asociacioni qytetar “Most” po ndjek procesin e votimit me më shumë se 1500 vëzhgues në teren. Sipas informatave të vëzhguesve të “Most”-it, të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë dhe të njëjtat nuk kanë problem gjatë vëzhgimit të procesit. Sipas “Most”, deri në orën 10 dalja në votime ka qenë 5.2%.
“Dalja e qytetarëve në votim deri në orën 10 është 5.2% me margjinë prej +,- 0.2%. Sipas të dhënave të vërtetuara nga vëzhguesit dhe zyrat rajonale të “Most”-it, në një vendvotim është vërtetuar një incident më i vogël. Në hyrjen e objektit ku është vendosur vendvotimi 2117 në fshatin Jagunovcë, ka të shkruar grafit me përmbajtje ofenduese. Është thirrur polica dhe është shkruar procesverbal”,- tha Darko Aleksov nga “Most”.
Objekt të shënuar me grafit ofendues vëzhguesit e “Most” kanë vërejtur edhe në hyrjen e objektit në vendvotim të komunës së Demir Hisarit. Në vendvotim në komunën e Strumicës, votimi është ndërprerë në kohëzgjatje prej 50 minutave për shkak të mosfunksionimit të llambës UV, ndërsa pas intervencës së Komisionit Komunal, votimi ka vazhduar. Nga “Most” informuan të gjithë qytetarët që duan të paraqesin parregullsi apo të japin informata që kanë të bëjnë me procesin e votimit, të paraqiten në numrin telefonik pa pagesë: 080 080 080.
FLORIJE BELULI KAMBERI
