Maqedoni
Ahmeti: Vendimin për Marrëveshjen me Greqinë do ta marrin në dorë deputetët
30.09.2018 20:59
Dita e sotme ishte një ditë shumë e rëndësishme për vendin tonë. Uroj të gjithë qytetarët e Maqedonisë, institucionet e vendit...

"Dita e sotme ishte një ditë shumë e rëndësishme për vendin tonë. Uroj të gjithë qytetarët e Maqedonisë, institucionet e vendit, të gjitha partitë politike të cilat kontribuan në mbarëvajtjen e procesit të referendumit për shfaqjen e qytetarisë dhe kulturës demokratike.Sot, ne demonstruam kapacitete demokratike të denja për një vend pretendent për integrim në NATO dhe në BE", tha kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas mbajtjes së referendumit.
Ahmeti në fjalën e tij vlerësoi se ky proces i reformave, barazisë dhe mbylljes së çështjeve me fqinjët tanë garanton paqe të qëndrueshme, siguri, stabilitet, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, zhvillim ekonomik, më shumë vende pune, investime vendore dhe të huaja si dhe mirëqenie shoqërore.
"Unë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim që në fillim e kemi thënë që vendimmarrja i takon institucioneve të vendit të zgjedhura në mënyrë legjitime dhe me kapacitet të plotë vendim-marrës. Sot, qytetarët e vendit ia deleguan vendim-marrjen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe demokratike", tha Ahmeti.
Ne, shtoi Ahmeti, jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të kalkulojmë për zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin e ardhshëm.
"Me votën tonë në Kuvend ne e përcaktojmë të ardhmen e vendit tonë, të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas nesh, por edhe të ardhmen e rajonit të Evropës Juglindore", përfundon fjalën e tij kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti./Mia
