Viti akademik 2018/2019, rritet në 1400 numri i studentëve në UNT, Unioni i Studentëve - UNT: Anëtarësohuni për realizimin e objektivave rinore

01.10.2018 15:43

Universiteti “Nënë Tereza”, në orën e parë akademike për vitin 2018/2019.....

Universiteti “Nënë Tereza”, në orën e parë akademike për vitin 2018/2019, hapi dyert edhe për 640 studentë të rinj, duke rrumbullakuar kështu në 1400 numrin e  studentëve. Rektori, Azis Pollozhani, premtoi se Universiteti çdo vit do të ofrojë programe të reja studimore për të qenë në hap me tregun e punës.

“Sivjet kemi 650 studentë të rregullt, plus studentë me korrespodencë dhe ata që do bëjnë transfere dhe po ashtu në ciklin e dytë risi janë shtatë programe që i kemi dekretuar përmes konkursit. Programe të reja këtë vit kemi doganën, teknologjinë, agro-inxhinierinë,  tekstilin,  dizajnin e modës, shkencat informatike dhe lepezën prej 25 programeve, që tërheqin përcaktimet e studentëve”,- tha rektori i UNT-së, Azis Pollozhani.

Studentët shpresojnë se me drejtimet që kanë zgjedhur, më lehtë do të sigurojnë punën pas përfundimit të studimeve.

“Unë kam zgjedhur drejtimin doganë dhe shpedicion, për shkak se ka qenë një nga drejtimet më atraktive, shoh perspektivë dhe vend të punës”,- tha një student.

“Unë kam zgjedhur drejtimin doganë dhe shpedicion. Mendoj se është drejtim i mirë për të ardhmen”,- theksoi një studente.

Katër studentëve të dalluar nga vitet paraprake iu ndanë bursa për t’i motivuar për suksese të mëtejshme.

“Është dashur që të jepet mund i madh në lëndën e matematikës, të paktën ndjehem e shpërblyer me bursë nga fillimi im studentor”,- theksoi një student.

Nga Unioni Studentor ftuan kolegët e tyre që të bëhen pjesë e strukturave studentore që të realizojnë objektivat studentore që garanton Ligji i ri i arsimit sipëror.

“Ju ftoj që të jeni sa më aktivë dhe të bëheni pjesë e strukturave studentore, sepse përmes bashkëpunimit mes profesorëve dhe studentëve do të arrijmë sukses”,- tha Agon Pogragja nga Unioni i Studentëve.

Viti i ri akademik filloi me Ligjin e ri të arsimit sipëror, që e zëvendësoi Ligjin e vjetër që në vitin 2008 pësoi 21 ndryshime. Mes risive të këtij ligji ishte edhe fillimi i vitit akademik më 1 tetor në vend të 15 shtatorit që ishte praktikuar 10 vite me radhë. (Flutura Latifi, TVM2)