Maqedoni

DASh: Qytetarët, “pro” NATO-s dhe BE-së

01.10.2018 17:01

ShBA-të e kanë përshëndetur referendumin në Maqedoni, në të cilin qytetarët shprehën mbështetjen....

ShBA-të e kanë përshëndetur referendumin në Maqedoni, në të cilin qytetarët shprehën mbështetjen për anëtarësim në NATO dhe BE me mbështetjen e marrëveshjes së Prespës në mes Maqedonisë dhe Greqisë. 
 
“ShBA-të fuqishëm e mbështesin zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës, e cila i mundëson Maqedonisë garantimin e vendit në NATO dhe BE, çka do të sjellë stabilitet rajonal, siguri dhe prosperitet”,- thuhet në deklaratën e State Department amerikan.
 
Mogerini- Hahn: Shumica i tha “po” marrëveshjes së Prespës
 
Ndërkohë edhe nga Brukseli, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Federika Mogerini, dhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, doli me porosi se shumica e madhe e qytetarëve e mbështetën marrëveshjen me Greqinë.
 
“Në mënyrë të qetë dhe demokratike, shumica e madhe prej atyre të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës thanë “po” për Marrëveshjen e Prespës, për emrin dhe për rrugën evropiane. Parlamenti tani është thirrur të vazhdojë me hapat e ardhshëm për implementimin e marrëveshjes për emrin përmes vendimit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese”,- shkruan në deklaratën e Mogerinit dhe Hanit. Ky është rast historik, thonë ata, jo vetëm për stabilitetin në rajon por edhe për progresin e vendosur në rrugën drejt BE-së.
 
“Të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë tani duhet të veprojnë në kuadër të përgjegjësisë së tyre kushtetuese jashtë linjave partiake. BE do të vazhdojë ta mbështesë vendin dhe qytetarët e saj”,- porositën Mogerini dhe Han.
 
Stoltenberg: Liderët të kapin shansin historik
 
Nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar edhe sekretari i përgjithshëm I NATO-s.  “E mirëpres votën ‘për’, në Maqedoni. Kërkoj nga të gjithë liderët dhe partitë politike te angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi të kapin këtë shans historik. Dera e NATO-s është e hapur, por fillimisht të gjitha procedurat nacionale duhet të kryhen”,- ka theksuar Stoltenberg.
 
NAIM RAMADANI