Maqedoni

MPJ e Greqisë: duhet kthjelltësi, ruani dinamikën pozitive

01.10.2018 17:22

Athina zyrtare reagon për referendumin në Maqedoni....

Në një deklaratë për mediat, MPJ greke thotë se i respektojnë përzgjedhjet e popullit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
 
"Megjithëse është një referendum konsultativ dhe jo pjesë e dispozitave detyruese të Marrëveshjes së Prespës, është kontradiktore: një “po” e fuqishme dominuese pa pjesëmarrjen përkatëse; një pjesë e madhe e shoqërisë së vendit fqinj mbështeti marrëveshjen. Për hapat e ardhshëm është i nevojshëm seriozitet nga të gjitha anët, që të sigurohet dinamikë pozitive për Marrëveshjen e Prespës",- theksoi MPJ greke. 
 
Që Greqia t’i japë dritë të gjelbër integrimit të vendit në NATO dhe BE, pas kalimit të marrëveshjes në kuvend, e njëjta duhet të kalojë me shumicë absolute edhe në parlamentin grek, ku kryeministri Cipras duket se nuk do ta ketë të lehtë. Vetë partneri i tij i koalicionit, Panos Kamenos, më shumë herë ka ripërsëritur se nuk do të votojë “pro” marrëveshjes. Sipas tij, edhe referendumi është i pavlefshëm pasi nuk u kalua censuzi ligjor.
 
Nga partitë opozitare, vetëm Potami e ka vlerësuar pozitivisht rezultatin e referendumit, duke kërkuar që Greqia të vazhdojë ta mbështesë rrugën evropiane të vendit. Partitë e tjera opozitare edhe një herë përsëritën skepticizmin e tyre për suksesin e marrëveshjes. Nga Lëvizja për Ndryshim thanë se pas popullit grek edhe ai i IRJM-së ia kthyen shpinën Marrëveshjes Zaev - Cipras. Neonacionalistët e Agimit të Artë kumtuan se rezultati i referendumit nuk mund ta ndryshojë historinë, pasi, sipas tyre, Maqedonia ishte dhe do të mbetet greke. 
 
Qytetarët grekë ndërkohë janë të paqartë se çfarë do të ndodhë më tej me marrëveshjen mes dy vendeve.
 
“Rezultati i referendumit për mua ishte i çuditshëm, sepse mendoj që banorët e Shkupit fqinj kishin më shumë benefite nga një rezultat pozitiv. Duket se ata e kanë lënë vendimin në duart e deputetëve të tyre”,- tha Achilleas Kyriakopoulos.
 
“Të gjithë e ekzagjeruan kur thonë se votat “pro” do të dominonin atje. Tani që e panë që kjo nuk ndodhi, u gjendën para një situate të paparashikuar”,- tha Achilleas Pasparakis.
 
Gjatë mbajtjes së referendumit, një grup grekësh protestuan me thirrjet se Maqedonia mund të jetë vetëm greke.
 
REJHANE BUSHI METAJ