Maqedoni

Gjykimi “Titanik 2”, dëshmojnë sërish ish anëtarët e KShZ-së

01.10.2018 17:40

Në Gjykatën Penale përfundoi dëgjimi i dëshmitarëve të PSP-së për rastin “Titanik 2” dhe gjykimi vazhdoi me pyetjet direkte të palës mbrojtëse...

Ish kryetari dhe anëtari aktual i KShZ-së nga LSDM, Boris Kondarko, përsëriti dëshminë e tij në lidhje me debatet që kanë pasur në KShZ për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve, por Kondarkos nuk i kujtohet se sa kohë ka zgjatur debati dhe për sa ankesa të deponuara gjithsej është debatuar në KShZ.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Strumicë, Vasil Gjorgjev, tha se kanë pasur trajnime të veçanta për realizimin e votimit dhe i njihnin mirë rregullat për dorëzimin e ankesave.

Dëshmitë e tyre i përsëritën edhe Violleta Duma, Suphi Jakupi dhe Pavlina Dineva.

Në rastin “Titanik 2”, të dyshuar për manipulime zgjedhore në vitin 2013 janë ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, dhe ish-anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërçev.