Maqedoni

KShZ: Dalja në referendum 36.91%, “pro” votuan 91,46%

01.10.2018 17:42

Komisioni Shtetëror Zgjedhor shpalli rezultatet përfundimtare nga përpunimi i 100% të të dhënave nga vendvotimet.....

Në referendumin për emrin ishin 666.743 qytetarë, apo 36,91% e qytetarëve me të drejtë vote. Në pyetjen e referendumit “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE, duke pranuar marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”, “për” janë prononcuar 91,46% e qytetarëve, “kundër” janë përgjigjur 5,65 %, fletëvotime të pavlefshme janë 19.221 ose 2,89%. Por, KShZ nuk ka miratuar vendimin për referendumin, pasi nuk është arritur cenzusi prej mbi 50% +1 e daljes së votuesve të regjistruar në listën zgjedhore.
 
“Numri i përgjithshëm i votuesve në listën zgjedhore ka qenë 1.806.336 qytetarë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë votuar është 666.743. “Për” kanë votuar 609.813 dhe “kundër” kanë votuar 37.700. Në bazë të rezultateve të Referendumit 2018, vendimi nuk është miratuar pasi nuk kanë votuar më shumë se gjysma e qytetarëve të cilët kanë qenë të regjistruar në listën zgjedhore”,- u shpreh nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
 
Në lidhje me ankesat për punën e komisioneve komunale, nga KShZ thonë se nëse ka prova për shkelje, do të ketë edhe përgjegjësi.
 
“KShZ në qoftë se konkludon se nga raportet të cilat do t’i marrë nga komisionet zgjedhore, ka prova për ngjarje të tilla në disa vendvotime, në pajtueshmëri  me autorizimet të cilat i ka KShZ-ja do të iniciojë procedure për anëtarët e organeve zgjedhore dhe se procedura do të varet nga lloji i shkeljes eventuale”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
 
Nga KShZ sqarojnë se askush nuk ka të drejtë për ankese në KShZ rreth procesit të votimit dhe numërimit të votave. Kjo sepse në këtë proces nuk ka pasur parti politike, kurse Kuvendi si bartës zyrtarë nuk ka autorizuar vëzhgues nëpër vendvotime.
 
Sa i përket ankesave të qytetarëve që nuk e gjetën veten e tyre në listën zgjedhore, Derkovski sqaron se lista ka qenë e hapur për këqyrje publike prej 9-23 shtator, pikërisht që qytetarët të kontrollonin nëse gabimisht nuk janë të përfshirë në të. Raporti i rezultateve të votimit në Referendum do të publikohet në Gazetën Zyrtare, në afat prej 15 ditësh nga dita e mbajtjes së referendumit. 
 
GAZMEND KURTISHI