Osmani - Shekerinska: Qytetarët thanë “po”, liderët të vazhdojnë procesin
Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska...

Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, deklarojnë se mbi 91% e 660 mijë qytetarëve që shfrytëzuan të drejtën e votës, dhanë porosinë se e ardhmja e vendit janë NATO dhe BE.
Në rast të daljes më të lartë dhe numri do të përgjigjej me dalshmërinë më të madhe në historinë e Maqedonisë, 1.16 milionë, ky rezultat do të nënkuptonte “për”, pra kjo ide mori më shumë vota nga cilido fitues në zgjedhjet parlamentare. Ata presin që deputetët të respektojnë vendimin e shumicës së qytetarëve që votuan, por nëse nuk sigurohen votat e domosdoshme, mbetet mjeti tjetër demokratik, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.
“Zëri i qytetarëve është thirrje e qartë që të gjithë liderët politikë duhet ta vazhdojnë këtë proces. Kjo është koha kur Maqedonisë i duhet unitet. Presim që deputetët ta pranojnë vendimin e referendumit. Në të kundërtën, mjeti i vetëm demokratik që mbetet janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, menjëherë. Në 7- 10 ditët e ardhshme do të bëjmë konsultime me deputetët dhe do të vlerësojnë nëse do të fillojnë procedurën në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, apo do të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
“Ajo çfarë është me rëndësi është që 600 mijë vota e tejkalojnë dukshëm pragun e nevojshëm ligjor prej 450 mijë “për” për ta legjitimuar procesin. Pra, me kushtetutë e me ligj, duhet 450 mijë vota “për” që procesi të jetë legjitim, ne kemi 600 mijë vota “për”, d.m.th. 150 mijë vota më tepër se sa duhej ligjërisht për të legjitimuar procesin”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Osmani, ndërkohë, hodhi poshtë zërat se numri i shqiptarëve që dolën të votojnë ishte më pak nga sa pritej.
Sipas tij, si referencë duhet të merret historiku i zgjedhjeve të fundit lokale.
“Ne kishim dalje dje të shqiptarëve në numër pak më të madh se zgjedhjet e fundit lokale. Nuk dua të flas me numra për shkak se NATO dhe BE është i vetmi fenomen në Maqedoni që të gjithëve na bën të njëjtë edhe maqedonasit edhe shqiptarët, të gjithë dje që kanë dalë. Por, numrat të cilët sot dolën në komunat shqiptare janë diku rreth 270 mijë votues, nëse i heqim komunitetet tjera do spekuloja me 250 mijë shqiptarë që kanë votuar dje”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Sipas tyre, referendumi tregoi edhe problemet me listën zgjedhore dhe censuzin real të votuesve në Maqedoni.
FARIJE DAUTI BAKIJU
