Maqedoni

Zaev bisedime me opozitën: “Në mungesë të marrëveshjes, shkohet në zgjedhje”

01.10.2018 18:30

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëron që nesër nisjen e bisedimeve me opozitën për të kaluar ndryshimet kushtetuese....

Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëron që nesër nisjen e bisedimeve me opozitën për të kaluar ndryshimet kushtetuese, që janë pjesë e marrëveshjes me Greqisë, dhe në ditët në vijim do të kuptohet se a ka mundësi që kjo marrëveshje të arrihet. Në të kundërtën, sipas Zaevit, do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare në nëntor, që të sigurohet shumica e nevojshme dhe të vazhdojë procesi.
 
“Unë pres përgjegjësi nga të gjithë që të merren vendimet, pasi në të kundërtën, nëse themi mirë, nuk marrin vendime të tilla dhe nuk marrin pjesë në votimin në parlament, do të duhet të themi se çfarë do të bëjmë dhe atëherë logjikisht vijnë zgjedhjet. Nëse kjo përbërje e deputetëve nuk ka kapacitet që me dy të tretat e votave të sjellë vendimin, atëherë hapi i radhës është shpresa se përbërjet e radhës parlamentare do të kenë kapacitet. Nuk do të thotë se kjo është garanci, por nuk ka se si ndryshe”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se populli dërgoi porosinë, duke stopuar Marrëveshjen me Greqinë dhe kjo do të duhet të respektohet sikurse nga kryeministri por edhe nga të gjithë deputetët e partive të ndryshme politike.
 
“Është fakt se marrëveshja me Greqinë nuk mori dritë jeshile, u stopua nga qytetarët. Populli i Maqedonisë, i cili është pronar i këtij vendi, dëshmoi vetëdije të veçantë demokratike dhe patriotike, dërgoi porosinë se kjo është Maqedonia”,- tha kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kundërshton zgjedhjet e reja, duke ftuar kuvendin që të sjellë vendimin e rëndësishëm për Marrëveshjen e Prespës.
 
“Vendi ynë ka tema dhe agjendë shumë më të rëndësishme se sa zgjedhjet e parakohshme, është agjenda euroatlantike dhe ne nuk guxojmë t’i shmangemi agjendës euroatlantike”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Por, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, thotë se duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
 
“Edhe po kaluan ndryshimet kushtetuese, Zoran Zaev nuk ka kredibilitet moral për të qenë kryeministër i shtetit. Ne shpresojmë dhe bëjmë thirrje të kalojnë ndryshimet kushtetuese, por duhet të shkohet në zgjedhje”,- theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.
 
Zgjedhjet e parakohshme, sipas paralajmërimeve të kryeministrit, do të mbaheshin më 25 nëntor.
 

MERAL ISMAILI