Maqedoni

OSBE - ODIHR publikon raportin fillestar: Referendumi, i qetë dhe i organizuar mirë

01.10.2018 18:42

Misioni i OSBE/ODIHR-it dhe delegacioni i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës....

Misioni i OSBE/ODIHR-it dhe delegacioni i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës, me vlerësime pozitive për organizimin dhe mbajtjen e referendumit. Dita e referendumit, në përgjithësi, vlerësohet e qetë dhe e organizuar mirë me procedura profesionale, transparente dhe të paanshme. 
 
“Dita e referendumit ishte përgjithësisht e qetë dhe e organizuar mirë. Procedurat ishin profesionale, transparente dhe të paanshme. Fushata për referendumin ishte e qetë dhe aktive në mbarë vendin, ndërsa liria e tubimit dhe e shprehjes u respektua. Administrata ishte e paanshme dhe në përgjithësi respektonte afatet ligjore. KShZ mbante takime efikase dhe kolegjiale, por mungonte debat thelbësor për çështje kyçe. Komisionet në nivele më të ulëta, në përgjithësi, punonin profesionalisht dhe gëzonin besimin e autoriteteve lokale”,- tha ambasadori i OSBE-së, Jan Petersen.
 
Shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e referendumit në Shkup, Jan Petersen, tha se korniza ligjore për referendumin nuk është as gjithëpërfshirëse as e harmonizuar dhe as nuk përfshin të gjitha aspektet në masë të mjaftueshme. Sipas tij, Ligji për referendum përcakton rregullat bazë për procesin e referendumit, por nuk janë përpunuar disa aspekte thelbësore. 
 
Lista e zgjedhësve e identifikuar si problematike nga OSBE-ODIHR, edhe më tej mbetet e patrajtuar mirë. Kjo çështje është me relevancë ndër të tjera edhe për cenzusin apo pragun e dalshmërisë, por autoritetet vendore nuk e kanë konsideruar si shqetësim. OSBE rekomandon që Qeveria dhe administrata të valorizojnë kohën deri në zgjedhjet e radhës që të punojë në Listën e votuesve.
 
“Është vlerë më e lartë dhe më unikate ajo që keni të drejtën në një vend demokratik që të dilni ose të mos dilni në zgjedhje. Kjo është e drejtë e çdo qytetari dhe duhet të respektojmë atë që një numër i madh i qytetarëve të këtij vendi, dje, nuk votuan, për arsye të ndryshme. Dikush ka protestuar dikush ka marrë thirrje të fshehta ose jo të fshehta për bojkot. Por, nuk duhet të harrojmë se mbi gjysmë milionë njerëz të këtij vendi e shfrytëzuan të drejtën e tyre dhe votuan”,- tha Shtefan Shenah nga AP e Këshillit të Evropës.
 
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, përmbajtja e Marrëveshjes për të cilën mbahej referendumi nuk u sqarua mjaftueshëm. KShZ ka bërë fushatë që informonte votuesit për të shfrytëzuar lirinë e shprehjes, në vend të që të nxiste daljen në votim, ndërkaq vendimi i kuvendit që të mos caktojë vëzhgues, sipas OSBE-së, ka dëmtuar transparencën, ndërsa vëzhgues nga disa shoqata qytetare dyshohet të kenë qenë përfaqësues të partive politike.  
 
SHPËTIM NUREDINI