Vajgel: VMRO-DPMNE dështoi në testin epjekurisë politike
Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl për agjencinë e lajmeve MIA.....

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl për agjencinë e lajmeve MIA ka deklaruar se opozitarja VMRO-DPMNE nuk e kaloi testin e pjekurisë në referendumin për Marrëveshjen me Greqinë dhe vlerëson se sjellja e kësaj partie, bashkë me presidentin Gjorge Ivanov, fsheh tentimin të mbrohen ata të cilët kanë shkelur ligjin.
“Mendoj se VMRO-ja ra në testin e pjekurisë dhe ai angazhim i VMRO-së dhe i presidentit nuk mund të arsyetohet me disa argumente oportuniste që i dedikohen vetëm raporteve të forcës në politikë, jo të ardhmes së vendit. Kur e krijuam marrëveshjen e Përzhinës të gjitha partitë u obliguan të vendosin interesat prapa dhe se do t'i përkushtohen të ardhmes së vendit . Më duket se VMRO-DPMNE me taktizimin e saj dëshiron të mbrojë njerëzit të cilët kanë shkelur ligjin, kundër të cilëve ka hetime dhe procedura gjyqësore ", ka thënë Vajgl.
Ai e rikujton opozitën se për BE-në ato çështje patjetër të mbeten në duart e gjyqësisë, pasi, "korrupsioni dhe shkelja e ligjeve dhe dhuna në Kuvend nuk mund të lihen anësh".
Sipas tij, kryeministri Zoran Zaev ka legjitimitet të vazhdojë me kërkesën e shumicës për ndryshimet kushtetuese në Kuvend dhe fokusin e vendos në atë të cilët thanë "po", e jo bojkotit. Shton se edhe pse skenari për zgjedhje të parakohshme nuk është i dëshirueshëm për BE-në, ai mbetet mjet legjitim demokratik. “Gjithçka duhet të përfundohet në mandatin e qeverisë aktuale. Ende jam optimist se kjo do të përfundojë mirë për Maqedoninë", ka thënë Vajgl për MIA-n.
