Koxias: Referendumi nuk ishte kusht, marrëveshja e Prespës do të miratohet në kuvend

02.10.2018 12:23

Referendumi nuk është as kusht, e as kërkesë juridike për implementimin e Marrëveshjes së Prespës....

Referendumi nuk është as kusht, e as kërkesë juridike për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, por është zgjedhje e Shkupit, tha shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias në intervistën për televizionin shtetëror grek ERT, duke e komentuar dhe shpjeguar rezultatin nga referendumi në Maqedoni.

Koxias theksoi se Ivanov për president dhe Zaev për kryeministër janë zgjedhur me numër më të vogël të votave që i fitoi "PRO" në referendumin.

"Marrëveshja thotë se referendumi është zgjedhje e Qeverisë së Shkupit, por nuk është as kusht, as parakusht, as kërkesë juridike për implementim të marrëveshjes, kjo është me rëndësi të madhe. Tani shkojmë në pjesën politike. Përqindje e madhe është 37-38 për qind? Në shikim të parë kur dikush e shikon, nëse nuk i di politikën ballkanike dhe politikën e Shkupit dhe realitetin e tyre, do të thotë se është e vogël. Edhe është logjike. Por, nëse di se sa vota janë këto 37-38 për qind dhe se çka ndodhi në zgjedhjet paraprake, atëherë do t'i kuptojë disa gjëra", tha Koxias duke përmendur se sa vota kanë fituar kryeministri Zoran Zaev në zgjedhjet në vitin 2016 dhe presidenti Gjorge Ivanov në zgjedhjet e fundit presidenciale. 

Koxias në intervistë poashtu shpjegoi se nuk janë pastruar listat zgjedhore dhe se nëse kanë votuar të gjithë që kanë të drejtë vote, sipas trupit real votues nga një deri në 1,2 milionë votues, shumica nga 50 për qind + 1 do të jetë nën 600.000, gjegjësisht 540.000-550.000 votues. Poashtu sipas shefit të diplomacisë greke nëse Zaev nuk e fiton betejën në Kuvend, "në çdo rast do t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme, këtë e thonë rezultatet nga referendumi".

Shefi i diplomacisë greke ishte kategorik se ratifikimi i marrëveshjes do të jetë nga Parlamenti aktual, ndërsa madje pastaj, kur do të vijë koha, me vendim të kryeministrit vendi do të shkojë në zgjedhje.

Paralelisht, shfaqi bindje se në Parlament ka shumicë të deputetëve të cilët do ta mbështesnin Marrëveshjen e Prespës.