Një vit nga referendumi për pavarësi, në Barcelonë serish përplasje me policinë
Përvjetori i parë i referendumit të shumë-kontestuar mbi shkëputjen e Katalonjës nga Spanja.....

Përvjetori i parë i referendumit të shumë-kontestuar mbi shkëputjen e Katalonjës nga Spanja u shënjua nga përplasje të dhunshme me policinë.
Vetëm në Barcelonë, dolën në marshime mbi 180.000 vetë, protesta pati edhe në qytete të tjera . Policia me shkopinj gome shpërndau turmën e protestuesve para parlamentit rajonal katalonas.
Qindra aktivistë pushtuan hekurudhat e trenave me shpejtësi të lartë për disa orë. Gjithashtu u bllokuan rrugët dhe një autostradë. Katalonja mbajti një votim më 1 tetor 2017 dhe qeveria e saj separatiste shpalli pavarësinë më 27 tetor.
Por gjykata kushtetuese e Spanjës e konsideroi referendumin të paligjshëm dhe Madridi imponoi sundimin e drejtpërdrejtë. Në atë kohë, pati skena të shëmtuara në rrugë, pasi policia spanjolle u përpoq t'i ndalonte njerëzit të dilnin në votime.
